Mbeturinat në Durrës, qeveria më në fund merr një vendim! Miratohet kërkesa e bashkisë për mbështetje financiare

Qeveria i ka dhënë sot përfundimisht zgjidhje çështjes së menaxhimit të plehrave në qarkun e Durrësit. Qeveria do të paguajë kostot shtesë për trajtimin e mbetjeve të bashkive të Qarkut Durrës. Në vendimin e miratuar me 30 korrik, qeveria nuk ka publikuar kostot e këtij shërbimi.

Përmes një vendimi, Këshilli i Ministrave më 19 korrik i kërkoi bashkive të Qarkut të Durrësit të gjejnë sa më shpejtë një zgjidhje për trajtimin e mbetjeve urbane dhe ka marrë përsipër të financojë kostot nëse ato do të jenë të papërballueshme për buxhetin e bashkisë.

“Nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të Qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Vendimi vjen pasi Këshillat Bashkiakë të Kavajës dhe Durrësit i kanë kërkuar qeverisë të financojë depozitimin e tyre në landfilldin e Sharrës. Kosto e depozitimit të mbetjeve nuk janë bërë publike nga asnjëra prej bashkive.

Gazetari Besar Likmeta citon për BIRN një studim të AKUM sipas të cilit për depozitimin e mbetjeve në Sharrë, bashkia e Durrësit duhet të paguaj një tarifë rreth 40 euro për ton mbetje në 20 vitet e ardhshme, ndërkohë që duhet të ndërtojë gjithashtu një stacion transferimi në vlerë 5.5 milionë euro. Aktualisht në landfilldin e Sharrës depozitohen mbetjet e Tiranës të cilat digjen në inceneratorin e kompanisë “Integrated Energy” me kosto 29 euro për ton.

VKM E PLOTË PËR MBETJET:

V E N D I M PËR MIRATIMIN E KËRKESËS SË BASHKISË DURRËS PËR MBËSHTETJE FINANCIARE NGA QEVERISJA QENDRORE PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, të neneve 10 e 22, pika 3, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr.68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.438, datë 13.7.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për mbështetjen financiare për menaxhimin e mbetjeve në bashkitë e Qarkut Durrës”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Mbështetjen financiare të kërkesës së Bashkisë Durrës, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, për menaxhimin e mbetjeve të paraqitura mbi bazën e studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë financiare për trajtimin e mbetjeve urbane në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, sipas legjislacionit në fuqi për këtë qëllim dhe të vendimit nr.438, datë 15.7.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për mbështetjen financiare për menaxhimin e mbetjeve në bashkitë e Qarkut të Durrësit”.

2. Shuma e mbështetjes financiare, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, negociohet çdo vit fiskal gjatë hartimit të projektbuxhetit afatmesëm dhe atij vjetor, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkisë Durrës, në varësi të aftësive fiskale.

3. Mbështetja financiare e qeverisjes qendrore për Bashkinë Durrës do të bëhet nëpërmjet transfertave specifike vjetore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, vetëqeverisjen vendore dhe financat e vetëqeverisjes vendore, duke filluar me mbulimin e nevojës financiare për periudhën gusht – dhjetor 2021.

4. Duke filluar nga viti 2022 dhe në vazhdim, pjesa e financimit për menaxhimin e mbetjeve nga buxheti i shtetit do të jetë pjesë e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm dhe ligjit vjetor të buxhetit.

5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *