Tregtarët që operojnë në markatën e fruta-perimeve të qytetit të Durrësit kanë dalë të protestojnë pasi janë sportuar në vendin e njohur si “Sheshi i rërës”. Ata tregojnë se në vendin ku ndodhet markata po bëhen punime, ndërsa vetë tregtarët janë lënë në këtë shesh të mbushur me mbeturina dhe pa asnjë kusht minimal higjiene.
Tregtarët refuzojnë të punojnë në këto kushte dhe shtojnë se më mirë do të ishte që ata të rrinin në shtëpi derisa të mbaronin punimet për markatën dhe më pas të dilnin në punë ashtu siç duhet. Kjo situatë, sipas tregtarëve do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të produkteve.
Për kryetaren e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako, tregtarët shprehen se ata e kanë parë vetëm gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit, për votën dhe më pas nuk kanë dëgjuar më për të.
“Këtu nuk punohet, siç e shikoni, këtu nuk ka higjienë. Ne produktet i blejmë sot dhe i hedhim në darkë se na prishen. Nuk ka as ujë këtu, nuk ka asnjë kusht higjiene. Shikoni mbeturinat. Ne pritëm se na thanë do bëhet markata. Na kanë nxjerrë në këtë vend të hapur këtu ku nuk rri as kafsha. Ne kemi marrë fund, nuk na i hedh sytë skush. Çfarë bashkie? Erdhi ajo për votën dhe se ka parë më me sy askush. Ne duam që të rregullohet markata, por më mirë të rrimë në shtëpi se sa të vijojmë të jetojmë këtu në këtë pikë të diellit. Ne markata e dimë që do bëhet, por nuk ke besë tek ta, mund ta bëjnë edhe pallat. Kemi dëgjuar një llaf që për tre muaj mbaron çdo gjë, por këtu te ‘Sheshi i rërës’ nuk rrihet,”- shprehen tregtarët.