Dhjetëra qytetarë janë ngritur në protestë përpara Bashkisë së Krujës, në lidhje me helmimin masiv që u shkaktua pak ditë më parë nga uji i pijshëm në qytet.
Qytetarët shaqen mjaft të indinjuar në lidhje me atë që ka ndodhur dhe kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë, Artur Bushi, si dhe drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve.
Sipas banorëve uji i cili po vijon të furnizojë aktualisht banesat e tyre është ende i pa konsumueshëm. Protesta ka qenë një organizimi vullnetar i qytetarëve të cilët kërkojnë kërkojnë mbajtjen e përgjegjësisë nga institucionet përgjegjëse lokale mbi helmimin e 600 qytetarëve.
Deri tani dyshimet ishin se helmimi erdhi si pasojë e përzierjes së ujërave të zeza me ujërat e bardha, por banorët japin një tjetër pistë. Sipas tyre shkak kanë qenë tubat e impiantit të ri, që “nuk janë blerë të reja, por janë marrë nga uzina e naftës në Ballsh ose miniera në Bulqizë”.
Çfarë e shkaktoi helmimin sipas analizave të ISHP-së
Nëndrejtori i ISHP-së, Dritan Ulqinaku, e cilësoi dje situatën shëndetësore të banorëve në Krujë, një epidemi të shkaktuar nga uji si rezultat i ndotjes së ujërave sipërfaqësore të shirave të rëna para pak ditësh.
Sipas tij, kjo gjë ka bërë interseptimin me ujërat e pijshëm të Ujësjellësit të Krujës. Në një deklaratë për mediat Ulqinaku tha se nga analizat e marra nga Instituti i Shëndetit Publik ka rezultuar që në një pikë të Ujësjellësit të Krujës ka rezultuar bakteri enterokok, i cili mendohet që mund të jetë shkaktari i këtyre shqetësimeve gastrointestinale të banorëve.
“Më lejoni t’ju konfirmoj në emër të Institutit të Shëndetit Publik, i cili ka ndjekur nga afër situatën epidemiologjike të shkaktuar në Krujë, situatë e cila solli një numër të lartë personash të cilët kishin çrregullime gastrointestinale. Situatë e cila do të vazhdojë të ndiqet me rigorozitet edhe në ditët e ardhshme. Nga analizat e marra nga Instituti i Shëndetit Publik ka rezultuar që në një pikë vetëm të Ujësjellësit të Krujës ka rezultuar bakteri enterokok, i cili mendohet që mund të jetë shkaktari i këtyre shqetësimeve gastrointestinale që qytetarët e Krujës kanë pasur.
Nga ana tjetër, më lejoni t’ju them se situata sot që ne flasim është shumë e qetë. Pothuajse ka mbaruar çdo shqetësim në qendrën shëndetësore dhe në spitalin e Krujës. Do të vazhdojmë ta ndjekim me rigorozitet. Mendojmë që është një epidemi e shkaktuar nga uji si rezultat i ndotjes së ujërave sipërfaqësore të shirave të rëna para pak ditësh dhe që kanë bërë interseptimin me ujërat e pijshëm të ujësjellësit të Krujës. Këto janë rezultatet zyrtare”, deklaroi Ulqinaku.