Emigrimi i të rinjve dhe plakja progresive me ritme të shpejta e popullsisë rrezikon që të shndërrohet në një bombë sociale në Shqipëri brenda dy dekadave të ardhshme.
Alarmi është dhënë në një studim të Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Studimi i publikuar më 7 qershor vëren se aktualisht janë rreth 91 mijë të moshuar në Shqipëri që kanë nevojë për kujdesje të përhershme dhe nga kjo shifër më pak se dy mijë prej tyre po e marrin këtë përkujdesje sociale të përhershme.
Shumica e të moshuarve, sipas vlerësimit të Organizatës mbështeten të familjarët dhe te përkujdesja falas sidomos e pjesëtareve femra të familjes.
“Me popullsinë që po plaket shpejt dhe me emigrimin e vazhdueshëm, Shqipëria po përballet me një sfidë urgjente për të siguruar shërbime sociale për të moshuarit në nevojë”, thotë Organizata Botërore e Punës në studimin e ndërmarrë.
Organizata ka gjetur gjashtë problematika që i paraqet në studimin e kryer.
Së pari, nga 2020 deri në 2050, popullsia shqiptare mbi 65 vjeç do të rritet me mbi 200 mijë vetë, duke shkuar nga 420 mijë, sa ishte në 2020 në 623 mijë. Kjo do të përbëjë më shumë se një të katërtën e popullsisë totale, ose rreth 26 për qind, nga 15 për qind që është sot.
Së dyti, Organizata thotë se janë 91 mijë të moshuar mbi 65 vjeç, ose 22 për qind e popullsisë mbi këtë kufi që kanë nevojë për përkujdesje afatgjatë dhe të përhershme sociale. Kostoja për përkujdesjen e kësaj kategorie përllogaritet në rreth 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm bruto. Me plakjen progresive të popullsisë, numri i personave potencialisht në nevojë për përkujdesje të përhershme do të rritet në 161 mijë brenda 2050-s.
Së treti, qendrat sociale të përkujdesjes të ngritura nëpër bashki e kanë të pamundur që të përmbushin kërkesën në rritje për përkujdesje të përhershme të të moshuarve. Aktualisht, më pak se 2 për qind e të moshuarve në nevojë përkujdesjeje sociale e marrin këtë shërbim në këto qëndra, ose më pak se 2 mijë të moshuar dhe ka një pabarazi të theksuar trajtimi mes bashkive të mëdha dhe atyre të vogla.
Së katërti, kapacitetet e kufizuara të përkujdesjes sociale të ofruar nga institucionet kanë detyruar të moshuarit që të jenë të varur te përkujdesja afatgjatë e familjarëve, që në shumicën e rasteve ofrohet nga femrat dhe është e papaguar.
Së pesti, ILO rekomandon qasje proaktive të Qeverisë shqiptare përmes rritjes së investimeve dhe numrit të shtëpive të azilit, stafit dhe të implementojë pa vonesa planin kombëtar të veprimit 2020-2024 për të moshuarit.
Së gjashti, Organizata rekomandon që të integrohen me efektivitet shërbimet shëndetësore me ato sociale në nivele komunitetesh, të adresohet problematika e nevojave financiare për të moshuarit dhe familjet e tyre dhe të zgjerohet grupi i punonjësve socialë në të gjithë vendin. Për këtë, ILO thotë se duhet shqyrtuar çdo mundësi, por duke rritur financimin për kujdesin social afatgjatë për të moshuarit.
Problematika e përkujdesjes për të moshuarit është pranuar edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Përkujdesja afatgjatë për të moshuaarit është urgjente në Shqipëri. Shërbimet që u ofrohen aktualisht të moshuarve janë të pamjaftueshme, si përsa i takon sasisë, ashtu edhe cilësisë. Ne duhet të bëjmë përpjekje për të ndërtuar dhe ofruar shërbime cilësore dhe në çdo bashki të vendit”, deklaroi në forumin e prezantimit të studimit të ILO-s, zv.ministjra e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Denada Seferi./gazetadita