Raporti më i fundit zyrtar, i Ministrisë së Brendshme Italiane konfirmon se deri më 31 tetor 2021 janë 1860 të burgosur shqiptarë, mes të cilëve 19 femra, që vuajnë dënimin në burgjet italiane.
Ndër të burgosurit e huaj në Itali, shqiptarët kanë numrin më të lartë pas atyre me kombësi marokene (3401) e rumune (2045), dhe renditen të tretët në listën e ndarjes sipas vend origjinës së tyre.
Numri më i lartë i të burgosurve shqiptarë ndodhen në burgjet e rajoneve Lombardi, Lazio, Toscana, Piemonte, Veneto e Puglia, që konfirmon dhe nivelin më të lartë të kriminalitetin shqiptar në këto territore.
Sipas raportit të Ministrisë italiane, janë dhe 68 shtetas kosovarë që vuajnë dënimin në sitemin e burgjeve italiane, prej tyre dy femra. Numri më i lartë i tyre ndodhet në burgjet e rajoneve Lombardi e Veneto.
Të dhënat e autoriteteve italiane konfirmojnë se janë gjithsej 54 307 shtetas që vuajnë dënimin në burgjet italiane, prej të cilëve 17 315 janë shtetas të huaj.
Këto të dhëna zyrtare kanë vënë në alarm Garantin Kombëtar për të drejtat e personave të privuar nga liria personale, Mauro Palma i cili sinjalizon se ditë pas dite po verifikohet një rritje e numrit të të burgosurve e një mbipopullim i burgjeve italiane jashtë kapacitetit të tyre mbajtës që përgjithësisht është 50 mijë vende.
Në fazën më akute të emegjencës pandemike, burgjet italiane regjistruan një reduktim të numrit të tyre e shifrat e fundit sinjalizojnë se po rikthehen në tendencën e mbipopullimit e që sipas Garantit Mbrojtës të të burgosurve, “duhet të jetë nën vëmëndjen e autoriteteve përgjegjëse.”
Vdekjet e vetëvrasjet në burgje, viktima edhe shqiptarë
Një tjetër alarm aktual në sistemin penintenciar italian, është fenomeni i vetëvrajseve të të burgosurve në burgje.
Gjatë vitit 2020 u regjistruan 167 vdekje në burgje, 62 prej të cilëve janë raste vetëvrasjeje. Në shumicën e rasteve vdekjet mbahen të fshehura e sinjalizohen nga familjarët ose të burgosur të tjerë.
Mes të burgosurve viktimë në vitin pandemik 2020, është rasti i shqiptarit 26- vjecar D.P, i cili më 19 qershor 2020 u gjet i vetëvrarë me çarçafë të lagur në banjon e qelisë në burgun Regina Coeli në Romë.
Një muaj më vonë, më 22 korrik 2020, shqiptari O.T, 28 vjeç, i arrestuar për rezistencë ndaj forcave të rendit e me dokumente të skaduara, u gjet i vdekur në dhomën e tij në qendrën e riatdhesimit të emigrantëve në Gardisca d’Isonzo, e një ditë para se të dilte përballë trupit gjykues i cili do të merrte në gjykim rastin e tij.
Në shtator të 2020 një tjetër shqiptar 40-vjeçar u gjet i vetëvrarë në qelinë e tij në burgun Rocco D’Amato të Bolonjës. Një ditë para vdekjes ai kishte kërkuar të komunikonte me familjen e tij. Ishte i dënuar për grabitje e rezistencë ndaj forcave të rendit.
Rastet e shqiptarëve të vetëvrarë apo që ndërrojnë jetë në burgjet italiane statistikisht nuk janë indiferente.
Gjatë 10 muajve të 2021 janë regjistruar gjithsej 48 të burgosur të vetëvrarë në burgjet italiane e 109 viktima.
Mes tyre është rasti i një shqiptari 57-vjeçar, i cili u gjet i vdekur në qelinë e tij në burgun Larino në Campobasso.
Tre orë e gjysëm para vdekjes ai kishte dalë nga reparti i sëmundjeve infektive në spitalin Cardarelli ku kishte qëndruar për kurim mjekësor i infektuar nga Covid 19.
Garantimi i dinjitetit njerëzor për persona të privuar nga liria personale në Itali është rregulluar nga respektimi i normativës së sistemit peninteciar e nga Karta e të drejtave e detyrimeve të të burgosurve.
Të burgosurit shqiptarë në burgjet italiane shlyejnë dënimin ndaj sistemit të drejtësisë italiane e duhet të kenë të garantuar të drejtën e shëndetit, kuptuar si një ekulibër fizik-mendor i lidhur me kushtet sociale ku i burgosuri jeton dhe i përcaktuar nga Ministria Italiane e Shëndetit Publik.
Dhe garantimi i shëndetit është një e drejtë e padiskutueshme për çdo individ, pavarësisht kushteve të lirësë ose burgosjes së tij e i sanksionuar në nenin 32 të Kushtetutës Italiane.
Po ashtu dhe shteti shqiptar në bazë në nenit 8 të Kushtetutës garanton të drejtat kombëtare të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të saj e mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.
/Burimi: Ora News/