Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin muajit tetor të vitit 1960, ku ndodhet proces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku është marrë në analizë dhe është diskutuar punë dhe veprimtaria e ministrit të Bujqësisë, Maqo Çomo, bashkëshorti i Liri Belishovës, anëtares së Byrosë Politike dhe sekretares së Komitetit Qendror të PPSh-së, që mbulonte propagandën dhe artin e kulturën. Fjala e plotë e sekretarit të përgjithshëm të PPSh-së, Enver Hoxha, lidhur me Liri Belishovën, e cila sapo ishte dënuar nga Partia si dhe “të metat e dobësitë” në punën bashkëshortit të saj, Maqo Çomo, në funksionin e ministrit të Bujqësisë, për të cilin Enveri midis të tjerash shprehej: “Kurdoherë unë kam qenë dakord me kritikat që shokët i kanë bërë Maqo Çomos dhe kemi vënë re se ai nuk i ka korrigjuar të metat dhe gabimet në punë dhe prandaj Ministria e Bujqësisë vazhdon të mos shkojë mirë. Ne mendojmë dhe propozojmë që të marrim masa për ta përmirësuar rrënjësisht punën në bujqësi. Në radhë të parë të shkarkojmë Maqo Çomon si ministër dhe ta zëvendësojmë me një shok tjetër, me qëllim që t’i jepet një hov akoma më i madh bujqësisë. Ne nuk ia hedhim atij të tëra fajet për dobësitë që kemi në bujqësi”.

Diskutimi i Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike, tetor 1960

Diskutim në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së mbi të metat në punë e qëndrimet e gabuara të Maqo Çomos
31 tetor 1960
Përpara se të flasë Maqo Çomoja, doja të theksoja që ai të mos ketë asnjë dyshim, se propozohet për t’u hequr nga funksioni si ministër, për shkak se është i shoqi i Liri Belishovës. Liria u dënua sepse kapitulloi dhe shkeli rëndë vijën politike dhe ideologjike të Partisë, kurse ai nuk mendohet të shkarkohet si ministër i Bujqësisë, automatikisht se është burri i saj. Po të kishim arritur në një konkluzion të tillë, nuk ka asnjë dyshim se do ta shënonim në relacionin që u është shpërndarë shokëve të Byrosë. Qëndrimi i Maqo Çomos, lidhur me fajet dhe me dënimin e Liri Belishovës, nuk mund të themi se ka qenë i drejtë dhe në atë frymë sikurse u shpreh njëzëri i gjithë Komiteti Qendror.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Diskutimi i tij mbi këto çështje ndryshonte shumë nga diskutimet dhe nga mendimet e të gjithë shokëve të tjerë që folën. Faji kryesor i tij është se ai nuk ka punuar mirë në Ministrinë e Bujqësisë. Çështja është se gjatë kohës që ai ka punuar si ministër, i janë bërë vazhdimisht kritika, bile është thirrur edhe në Byronë Politike e në Sekretariat, ku është kritikuar, duke i’u vëne në dukje gabimet dhe të metat, për t’i përmirësuar ato. Mund të them, se shokë me përgjegjësi në Byronë Politike dhe në Qeveri, shumë kohë përpara, me vite të tëra, kanë ardhur te unë dhe më kanë parashtruar e më kanë kërkuar shumë herë që çështja e tij të shqyrtohej në Byronë Politike, sepse ai ka të meta dhe gabime të shumta, prandaj punët në Ministrinë e Bujqësisë nuk ecin.

Por mendimi im dhe i shokëve të tjerë të Byrosë ka qenë që ta kritikojmë e ta ndihmojmë atë. Kurdoherë unë kam qenë dakord me kritikat që shokët i kanë bërë Maqo Çomos dhe kemi vënë re se ai nuk i ka korrigjuar të metat dhe gabimet në punë dhe prandaj Ministria e Bujqësisë vazhdon të mos shkojë mirë. Ne mendojmë dhe propozojmë që të marrim masa për ta përmirësuar rrënjësisht punën në bujqësi. Në radhë të parë të shkarkojmë Maqo Çomon si ministër dhe ta zëvendësojmë me një shok tjetër, me qëllim që t’i jepet një hov akoma më i madh bujqësisë. Ne nuk ia hedhim atij të tëra fajet për dobësitë që kemi në bujqësi. Ne i ngarkojmë atij ato që i takojnë, se e dimë që bujqësia varet edhe nga shumë faktorë të tjerë. Por shkarkimi i tij të jetë një mësim i madh për të dhe për cilindo tjetër që nuk kryen mirë detyrën. Pasi foli Maqo (Çomoja), dhe pas diskutimeve që zhvilluan anëtarët e Byrosë Politike, e mori fjalën përsëri

SHOKU ENVER HOXHA: Jam dakord për të tëra sa folën shokët e Byrosë Politike. Eksperienca e Partisë sonë na ka mësuar që në jetë të shohim shumë gjëra. Një nga mësimet e kemi nxjerrë nga jeta, është se me gjithë ndihmat dhe kritikat e drejta që u janë bërë disa njerëzve nga ana e Partisë, ka pasur prej tyre që nuk janë ndrequr, por përkundrazi kanë shkarë më tej, derisa kanë arritur në pozita antiparti. Një rrezik i tillë ekziston sidomos për ata që janë mendjemëdhenj, që kanë besim të madh në mendjen dhe në pikëpamjet e tyre, aq sa nganjëherë këto i vënë mbi pikëpamjet e drejta të Partisë. Mendjemadhësia sjell shumë rreziqe. Shokët i thanë atij sinqerisht, se te ai ekziston në doza të forta mendjemadhësia.

Kjo kritikë i është bërë edhe herë të tjera, por si duket nuk do që ta kuptojë, të reflektojë e të përmirësohet. Ne do ta ndihmojmë atë që të ecë në rrugën e Partisë, po kjo varet nga vetë ai. Me mendjemadhësinë e tij, ka rrezik që ai të mos mbajë qëndrim të drejtë ndaj Partisë, vijës e udhëheqjes se saj, për të cilën u dënua edhe Liri Belishova. Po të mos kishe kontakte me Lirinë e të mos bashkëjetojë me të, s’kisha ndër mend të ta thosha këtë, megjithatë thuaj dhe asaj që të mos shkojë më tej! Të dy të keni kujdes që mos shkoni me tutje! Liri Belishova ka shfaqur pikëpamje të kundërta me vijën e Komitetit Qendror, por konstatojmë se ajo akoma nuk i ka kuptuar gabimet e saj, që janë shumë të rënda. Liria duhet ta kuptojë se nuk është në rrugën e Partisë. Ne kemi bindje të plotë se ajo ka qenë në rrugë të gabuar, ndërsa Komiteti Qendror i Partisë është në rrugë të drejtë.

Sa ditë që kalojnë, aq më shumë grumbullohen fakte të mëdha, të cilat dëshmojnë se udhëheqja sovjetike është në rrugë të gabuar. Liria le t’i mbajë iluzionet që ka, ne nuk ia heqim ato me zor, megjithëse e këshillojmë t’i heqë. Vetëm duhet ditur se vijën e Partisë, shtetin tonë dhe fitoret e socializmit në Shqipëri ne do t’i mbrojmë dhe jemi të sigurtë se Liria, nuk ka aspak të drejtë, përkundrazi ajo është vënë në opozicion me vijën e Partisë dhe në këtë situatë ka rrezik që të gabohesh edhe ti. Prandaj të këshillojmë, që të mos gabosh, bile ne duam që ti të ndihmosh edhe Lirinë, për të njohur fajet e saj të rënda dhe rrugën e gabuar. Ka qenë koha kur ajo duhej të ishte më e rreptë ndaj teje përsa u përket kritikave që të janë bërë në Komitetin Qendror për punën tënde, por ne konstatojmë se ajo nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Kanë kaluar ato kohë, kur Partisë sonë mund t’i imponoheshin pikëpamjet e gabuara të të tjerëve. Partia jonë ka një eksperiencë lufte të gjatë dhe nuk ecën qorrazi. Ajo mat mirë çdo hap që hedh përpara. Prandaj vullneti i njërit apo i tjetrit për të shtrembëruar vijën e Partisë sonë, qoftë duke e minuar nga brenda, qoftë nga jashtë, nuk shkon te ne. Gjithsecili duhet të ecë në vijën e drejtë të Partisë, që e mbron njëzëri e gjithë Partia jonë. Duhet thënë se mendjemadhësia te ti, Maqo Çomo, është nxitur edhe nga specialistët sovjetikë. Përveç të tjerave, te ti është konstatuar një farë mendjemadhësie për të kryer në bujqësi punë jashtë mundësive tona, janë propozuar disa plane të mëdha, të papërshtatshme për kushtet tona aktuale ekonomike. Ne kemi të tjera kushte nga ato të Bashkimit Sovjetik, kurse në bisedat me socialistët e bujqësisë, te ti janë dukur disa ide fantastike për zhvillimin e bujqësisë sonë.

Komunist i mirë është ai që ecën në rrugën e Partisë dhe jo me fjalët e të tjerëve. Mackieviçi i nuk i di kushtet tona, prandaj disa mendime të tij s’kanë asnjë vlerë për Partinë tonë. Rruga e Partisë sonë është që të ecim drejt. Kush nuk ecën drejt në rrugën e Partisë, ai me siguri do të gabojë. Kush reflekton në gabimet e veta dhe i pranon ato, ka mundësi të korrigjohet. Liri Belishova, për shembull, nuk po e bën një gjë të tillë. Unë nuk mendoj që Liria të bëhet murgeshë, të mos dalë shëtitje, të mos shkojë në park, në kinema etj., por mënyra demonstrative si i bën ajo këto gjëra tani, tregon se do t’u thotë të tjerëve: “Do të shikoni, pritni, pa do të dëgjoni se ç’do te bëhet!”. Unë them se një njeri që i ka kuptuar gabimet, ecën me ndërgjegje të vrarë, me kokë ulur dhe punon ndershmërisht.

Partia është e drejtë, ajo e ndjek komunistin në punë dhe në jetë dhe i jep dorën kur ka filluar të ecë në rrugë të mbarë, po në qoftë se shkohet me mendime e provokacione si ato të Lirisë, fajin nuk e ka Partia. Asnjërit prej atyre që kanë kaluar në rrugën anti-parti nuk u ka pasur faj Partia. Përkundrazi, Partia jonë është treguar shumë zemërgjerë. Të tërë ata që kanë bërë faje, Partia jonë i ka dënuar drejt dhe pas dënimit ajo është treguar shumë e durueshme, marksiste dhe koha ka zbuluar më vonë për ta edhe shumë gjëra të tjera. Unë i shtroj këto çështje se duam që t’i shpëtojmë njerëzit. Është tjetër çështje pastaj në rast se ata nuk duan të shpëtojnë. A nuk kemi bërë ne gjithë ato përpjekje për ta shpëtuar, për shembull, Tuk Jakovën? Mirëpo ai vazhdoi me komplotet e tij kundër Partisë dhe sa kohë që kalon, gjëra të reja zbulohen. Këto i them sepse rreziqe të tilla ekzistojnë edhe për ty, Maqo Çomo, prandaj ruaju, dilu përpara rreziqeve, mendohu mirë e qëndro drejt, në rrugën e Partisë!

RAPORT I MBAJTUR NË PLENUMIN XX TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MBI TË METAT KRYESORE NË PUNËN E MAQO ÇOMOS

1 nëntor 1960

Lidhur me porosinë e Plenumit të fundit të Komitetit Qendror të Partisë që të shikohet puna e Maqo Çomos si ministër i Bujqësisë, më poshtë paraqitim shkurtimisht të metat kryesore që janë vënë re vazhdimisht në punën e tij. Bujqësia është një sektor shumë i gjerë, degë kryesore dhe shumë e rëndësishme e ekonomisë popullore të vendit tonë, për të cilën kujdeset vazhdimisht Byroja Politike dhe Qeveria. Për plotësimin e planeve të bujqësisë punon ditë e natë gjithë Partia; një pjesë shumë të madhe të kohës komitetet e Partisë në rrethe merren me problemet e bujqësisë. Me gjithë këtë, Maqo Çomoja, në përgjithësi, problemet e bujqësisë i ka parë shumë ngushtë, përciptas dhe jo në tërë gjerësinë e tyre, siç porosit Komiteti Qendror.

Ai karakterizohet nga një mendjemadhësi e theksuar, që shprehet në mbivlerësimin e aftësive personale në njohjen e të gjitha problemeve të bujqësisë, por kjo gjë nuk është vërtetuar në praktikë. Ai mendon se bujqësinë e bën të ece përpara vetëm ministria me aparatin e saj. Në punën e tij ka mjaft raste in disiplinimi si dhe nënvleftësimi të aparateve qendrore, të organizatave të masave dhe të komiteteve të Partisë në rrethe. Është për t’u vënë në dukje edhe fakti se këto të meta të atij nuk kanë mbetur vetëm si pikëpamje të tij personale, por kanë infektuar dhe disa shokë të tjerë të këtij aparati.

Dihet se mos realizimi i planeve të bujqësisë varet nga faktorë të ndryshëm, të cilët Komiteti Qendror i ka parasysh. Por këtu ka influencuar shumë edhe puna e dobët e tij si ministër i Bujqësisë, i cili, lidhur me të metat e përmendura më lart, nuk e ka kryer detyrën siç duhet. Duke mos qenë vetë në pozita luftarake, si rregull, Maqo Çomoja, në vend që të dalë me propozime e me masa të rëndësishme për realizimin e direktivave të Partisë lidhur me rritjen e shpejtë të prodhimit bujqësor, rri “në pozita mbrojtëse” ndaj rekomandimeve që bëhen nga lart ose nga baza. Kjo është një lloj opozite ndaj vijës së Partisë në bujqësi.
Për të vërtetuar këtë mjafton të përmendim qëndrimin e tij në fillim të vitit 1957, kur përgatitej Plenumi i shkurtit, kundërshtimet e tij për të filluar aksionin e përmirësimit të shpejtë të racës së dhenve me anën e ndërzimit artificial. Duke i’u referuar “shkencës dhe njohurive” të tij, ai thoshte se ky plan do të dështojë, por praktika tregoi të kundërtën. Kështu ndodhi edhe me çështjen e shtimit të planit të agrumeve, që vendosi ky Plenum, për të cilin u bënë kundërshtime të mëdha nga Ministria e Bujqësisë, që i frymëzonte vetë ministri. Ai dhe disa kuadro të Ministrisë së Bujqësisë, të frymëzuar prej tij, kanë mbajtur vazhdimisht një qëndrim mospërfillës dhe nënvleftësues ndaj propozimeve të bazës për avancimin e planit të fruti-kulturës.(Plenumi i Shkurtit 1958).

Duke mos i vlerësuar këto iniciativa të bazës, shokët e ministrisë nuk i dhanë asaj ndihmën e duhur, teknike dhe nuk u mobilizuan për të siguruar një cilësi të lartë në mbjelljet e pemëve frutore që bënë rrethet. Komiteti Qendror i BRPSH-së dhe organizatat e rinisë në rrethe, kanë qenë vazhdimisht të pakënaqura dhe të revoltuara ndaj qëndrimit nënvleftësues dhe disa herë tallës, që mbante Maqo Çomoja ndaj punës së rinisë, sidomos për aksionin e saj të madh lidhur me realizimin e planit 15-vjeçar të ullirit në 13 vjet. Tipik është edhe rasti me masat që mori Komiteti Qendror i Partisë për shtimin e prodhimeve blegtorale në Plenumin e Nëntorit 1958, me të cilin ai ka qenë në fakt në opozitë me këto, si dhe në mjaft raste të tjera, Maqo Çomoja ka treguar mosbesimin te forcat e Partisë e të bazës, të cilat, duke u mobilizuar siç duhet, mund të plotësojnë me sukses çdo detyrë që u shtron Komiteti Qendror.

Në këto tregohet gjithashtu mosbesimi i tij, ndaj drejtimit dhe kompetencave të Komitetit Qendror përsa u përket problemeve të bujqësisë. Lidhur me këtë, kur merreshin zakonisht vendime të rëndësishme për bujqësinë, ai në vend që të aktivizonte kuadrot për zhvillimin dhe për shfrytëzimin e rezervave të brendshme të bujqësisë, i mobilizonte ata që “të argumentonin” me çdo mënyrë pamundësinë e plotësimit të detyrave që shtroheshin. Nga ana tjetër, Maqo Çomoja si ministër i Bujqësisë nuk ka bërë që Ministria e Bujqësisë të ndërmarrë ndonjë aksion të rëndësishëm, me iniciativën e saj, për shtimin e sipërfaqes së ujitshme, të farërave etj. është e kuptueshme se, duke qenë në këto pozita, ai nuk ka luftuar për plotësimin e detyrave që i ka ngarkuar Partia, si ministër i Bujqësisë dhe është bërë pengesë në këtë drejtim.

Në organizimin dhe në metodën e punës së Ministrisë së Bujqësisë ka mjaft të meta, për të cilat mban përgjegjësi Maqo Çomoja. Të influencuar nga këto pikëpamje jo të drejta dhe nga metoda e gabuar e punës së tij, kuadrot kryesorë të Ministrisë së Bujqësisë nuk ndihmojnë sa duhet bazën. Zakonisht shkohet në disa rrethe kryesore, por edhe atje nuk qëndrohet për disa ditë me radhë për të shqyrtuar së bashku me shokët e atjeshëm mundësitë dhe rezervat për shtimin e prodhimit bujqësor. Në këtë mënyrë, duke bërë disa vizita të shpejta dhe duke dërguar me shërbim nëpunës pa shumë kompetenca, fondi i dietave tejkalohet dhe baza nuk ndihmohet (shokët e rretheve janë ankuar vazhdimisht për këtë).
Nga një kontroll i bërë në muajin shtator 1959, doli se nga janari e deri atëherë Ministria e Bujqësisë nuk kishte dërguar në bazë asnjë ekip të sajin me ndonjë kuadër kryesor në krye, se në një të tretën e rretheve të Shqipërisë nuk kishte shkuar asnjë shok drejtues dhe se kuadrot përgjegjës të ministrisë gjatë kësaj kohe, nuk kishin asistuar në asnjë mbledhje të komiteteve ekzekutive, të këshillave popullore, të byrove, të plenumeve të komiteteve të Partisë në rrethe apo në mbledhje të kryesive e të asambleve të kooperativave bujqësore. Gjithashtu nga të dhënat e llogarisë së ministrisë del se vetëm rreth 2 për qind e kohës së shërbimit është qëndruar në fshat. Kjo nuk është një gjë e rastit, por karakteristikë e përgjithshme e punës së ministrisë që drejton Maqo Çomoja. Në këtë mënyrë puna e gjallë është zëvendësuar me një lumë të pambaruar shkresash.

Ministria e Bujqësisë dërgon shumë materiale për shqyrtim në Qeveri, por në këto vendin kryesor e zënë raportet dhe projektet që duhen dhënë sipas planeve të punës. Në to ka edhe shumë kërkesa për materiale e fonde, por shumë rrallë ka materiale dhe studime mbi kontrollet e ministrisë, apo rekomandime të specialistëve të saj. Maqo Çomoja dhe zëvendësit e tij nuk i japin si duhet dhe sa duhet një ndihmë të organizuar aparatit vartës. Nga kontrolli i përmendur, doli se gjatë vitit 1959, ministri nuk kishte marrë pjesë në asnjë mbledhje të drejtorive, të cilat zakonisht punojnë pa plan, nuk organizojnë përgjithësimin e eksperiencës dhe ngritjen tekniko-profesionale të specialistëve. Në funksionimin e aparatit vihen re edhe të meta të tjera, që formojnë shkelje të disiplinës shtetërore. Kërkesat e bazës nuk studiohen shpejt dhe me kujdes. Kështu, në muajin gusht 1959 u gjetën 90 lutje të papërfunduara, nga të cilat 45 ishin të muajve janar-maj.

Duke mos pasur pikëpamje të drejta mbi rolin e aparatit qendror dhe duke mbivlerësuar forcat e veta, në punën e tij ka munguar fryma e partishmërisë. Maqo Çomoja është kritikuar vazhdimisht për mungesë bashkëpunimi me forumet e aparatin e Komitetit Qendror, shumë rrallë ka ardhur këtu për të ngritur çështje të rëndësishme. Akoma më nënvleftësues është qëndrimi i tij ndaj organizatës së rinisë e të gruas, të cilat me gjithë insistimet e shumta, me shumë vështirësi sigurojnë bashkëpunimin e ministrisë për aksionet që ato kanë marrë përsipër. Duke i munguar fryma e partishmërisë, ai ka insistuar vazhdimisht për të marrë kompetenca më të mëdha si ministër, duke dashur t’i shpëtojë kontrollit si nga aparati qendror, ashtu edhe nga baza.
Ai e ka quajtur burokraci dhe pengesë nomenklaturën e kuadrit që është aprovuar nga Byroja Politike, duke dashur që këto çështje t’i vendosë vetë. Po kështu edhe për çështjen e administrimit të fondeve e të materialeve. Maqo Çomoja tregohet shumë zemërgjerë e liberal dhe i ka munguar vigjilenca e duhur me kuadrin në përgjithësi dhe sidomos me elementin që ka përbërje ose të kaluar të keqe. Kështu, nën pretekstin për t’i inkurajuar këta në punë, nuk tregohet vigjilent. Përveç kësaj, ai nuk dëgjon si duhet zërin e bashkëpunëtorëve të vet, të cilët, disa herë, direkt ose indirekt, janë ankuar për këtë. Ai në shumë raste vë në dukje disa gjëra që i bën me iniciativën e vet dhe lë pas dore gjëra të tjera më të rëndësishme që i rekomandohen nga të tjerët.

Në punën e tij janë vënë re vazhdimisht thyerje të disiplinës. Duke mos qenë i bindur për disa vendime të rëndësishme të Partisë mbi bujqësinë, ai ka lejuar moszbatimin e tyre. Kështu, për shembull, kanë mbetur pa u zbatuar detyrat e Kongresit III-të të Partisë për çështjen e farës, vendimi i Plenumit të Shkurtit 1957, për agrumet, ka shkelur disa herë nomenklaturën e kuadrit etj. Ai, gjithashtu, që në fillim nuk ka qenë dakord me vendimet e Plenumit të Nëntorit 1958, për blegtorinë, por në të kundërtën, pas aprovimit të planit shtatëvjeçar të blegtorisë nga Plenumi, ai, duke qëndruar në mendimet e veta konservatore, nuk e mobilizoi si duhet aparatin e vet për të shfrytëzuar çdo mundësi për shtimin e prodhimit të blegtorisë.
Përkundrazi, me qëndrimin e vet, futi në të një frymë mosbesimi dhe e nxori atë jashtë luftës që bënte Partia për zbatimin e vendimeve të Plenumit. Në punën e Maqo Çomos ka pasur edhe mjaft gabime të tjera, për të cilat ai gjithashtu është kritikuar disa herë. Nën pretekstin për t’i vënë ndërmarrjet bujqësore në kondita normale, ai u ka dhënë atyre kuadro, mjete financiare e makineri më shumë sesa marrin rrethet për të njëjtat detyra. Kjo gjë është kritikuar nga vetë rrethet ku janë këto ndërmarrje dhe Komiteti Qendror mori masat për ta riparuar kotë çështje. Maqo Çomoja qe një nga iniciatorët e punës së shpejtuar që u bë në janar-shkurt 1959, për zmadhimin e kooperativave në një mënyrë të rrezikshme, gjë që u ndalua dhe u dënua nga Byroja Politike dhe nga Plenumi i Komitetit Qendror. Kohët e fundit ai, pa qenë aspak i bindur, paraqiti projekt planin e pesëvjeçarit të tretë me disa shifra shumë të fryra, gjoja për t’iu përmbajtur kuotave që ishin caktuar më parë, ndërsa në fakt ishte një punë e përciptë, pa përgjegjësi dhe shumë e dëmshme.

Këto dhe të tjera të meta i janë vënë në dukje vazhdimisht Maqo Çomos. Për to ai është thirrur në mënyrë të posaçme para sekretarëve të Komitetit Qendror, është kritikuar nga Sekretariati dhe nga Byroja Politike e Komitetit Qendror. Një kritikë shumë e ashpër dhe me paralajmërim iu bë atij në Plenumin e Dhjetorit 1959, kur u analizuan rezultatet katërvjeçare të planit ekonomik. Duke u mbështetur në të metat e shumta që u përmendën më lart, të cilat pengojnë mbarëvajtjen e bujqësisë, mendojmë që Maqo Çomoja duhet shkarkuar nga detyra si ministër dhe në krye të bujqësisë të vihet një shok me partishmëri të lartë. Çështjet e paraqitura më lart përbëjnë faje të rënda, jo vetëm për ta shkarkuar atë si ministër, por duhet parë edhe qenia e tij si anëtar i Komitetit Qendror. Ne e këshillojmë Maqo Çomon të reflektojë thellë mbi gabimet e tij dhe mbi kritikat e drejta që i bënë shokët e Plenumit të Komitetit Qendror, të punojë si duhet atje ku do ta caktojë Partia, të ecë në rrugë të drejtë, të ketë besim te Partia dhe ta mbështetë vijën e drejtë të saj në çdo situatë. Në qoftë se ai do të ecë si duhet në këto drejtime, Partia do ta ndihmojë atë kurdoherë.

/Burimi: Memorie.al/