Krei i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, pas mbledhjes së Kryesisë, ka deklaruar se propozimi i tij ka gjetur mbështetje.
Në një deklaratë për mediat, Alibeaj tha se propozoi që fokusi kryesor të jenë zgjedhjet e 14 majit, ndërsa paralajmëroi një aleancë me bazë të gjerë me partitë e djathta.
“Ajo që kam propozuar gjeti mirëkuptim. Është një moment ngarkimit me një përgjegjësi historike, është momenti i mirë për të rimarrë struktura e PD energji të reja për rritje dhe fitore. Jam i vetëdijshëm dhe i kënaqur që gjeta po të njëjtën konsideratë nga kolegët.
Tre çështje propozova, dhe gjeta dhe mbështetje. Lidhur me aleancat, PD merr përsipër ndërtimin e një aleance sa më të gjerë të partive të qendrës së djathë për maksimizim të votave.
Së dyti, lidhur me këshillat bashkiak është miratuar që duhet të filloj menjëherë nga puna duke ftuar demokratët që kanë qëndruar në momentet e vështira të PD, që të bëhen dhe do jenë pjesë e listave.
Së treti, lidhur me kandidatët, votimet me primare nga grupi i rithemelimit dhe kandidatë të tjerë i kam propozuar PD dhe kemi gjetur mbështetje, hapjen pa asnjë kufizim. Synimi i vetëm është dalje me një kandidat të vetëm në çdo bashki.
Thelbi i qëndrimit të propozuar nga unë ka qenë kjo, një kandidat dhe fitues! Një kandidat për demokratët duke mos përjashtuar ata të grupit të Rithemelimit, për të përzgjedhur më të mirin rreth të cilin të bashkohen forcat. Bashkimi i forcave në zgjedhje është një arsye e fortë për këdo, të heqim urrejtjen e madhe mes nesh e të mendojmë për shqiptarët dhe të gjithë ata që janë kundër këtij regjimi”, tha Alibeaj.