Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e Kryesisë deklaroi se brenda partisë ka vend për të gjithë. Ai tha se brenda PD-së nuk mund të ketë vizione të ndryshme për vjedhjen e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Sipas Bashës, është e qartë që zgjedhjet e 25 prillit ishin masakra më e madhe zgjedhore, atëhere gishti s’duhet drejtuar në këtë sallë, por tek kundërshtari përballë.
Basha ka pranuar në mbledhje se po mban peshën kryesore të sulmeve dhe fushatën denigruese ndaj tij, por thekson se ai ende beson tek ndryshimi dhe jo tek një hajdut dhe ortak të bandave e mafies.
”Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet cuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prilllin. Sepse nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizimit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizimit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë.
Përndryshe nuk bëjmë gjë tjetër veçse i japim një dorë kalçifikimit të antivlerave të ndërtuara me poshtërsi nga ata që kemi përballë, sipas të cilës hajduti quhet i suksesshëm dhe vjedhja fitore.
E di që është e vështirë, e di sepse e provoj në lëkurën time përditë, këtë përmbysje djallëzore vlerash, pasi jam shënjestra e parë e kësaj fushate denigruese që mbahet në këmbë nga një makineri propagandistike e madhe. Por unë e mbaj peshën e këtyre sulmeve sepse besoj tek Shqipëria dhe sepse besoj që Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe jo kurrë për një HAJDUT tjetër më të madh, apo një ortak më të zotë të bandave dhe mafias.”- tha Basha.