Në fjalimin e tij të parë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti i SHBA-së, Joe Biden përdori tone pajtuese dhe sërish bëri të qartë, se ai ndjek një kurs krejt ndryshe nga paraardhësi i tij Trump.
Ndonëse emri i paraardhësit të tij Donald Trump nuk u përmend fare, ai u nënkuptua qartë. Me fjalimin e tij të parë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti i SHBA-së, Joe Biden skicoi kursin e politikës së tij ndërkombëtare, që praktikisht është në kah të kundërt të atij që ndiqte Donald Trump.
Biden u shpreh qartazi për më shumë bashkëpunim ndërkombëtar, pajtim dhe korrektësi. Ai ndër të tjera tha, se SHBA është e gatshme të bashkëpunojë me çdo komb, që angazhohet për zgjidhje paqësore. Duke iu referuar rolit gjithnjë në rritje të Kinës në botë ai tha, se ai nuk do “një luftë të re të ftohtë”.
Dhuna ushtarake si “mjeti i fundit”
Por ai nuk la aspak të dyshohet, se SHBA kundrejt vendeve armiqësore do të ndjekë një kurs të ashpër. Pas fundit të luftës në Afganistan do të nisë një „epokë e re e diplomacisë këmbëngulëse”.
SHBA vazhdon të jetë e përkushtuar, që dhuna ushtarake të përdoret si mjeti i fundit, nëse ajo është e domosdoshme, theksoi Biden. Duke iu referuar marrëveshjes ndërkombëtare atomike me Iranin të shfuqizuar prej Trumpit ai tha, se e përfytyron një kthim në këtë marrëveshje, nëse Irani u përmbahet detyrimeve të saj.
Lidhur me për Lindjen e Mesme, Biden është për një shtet sovran demokratik palestinez si „rruga më e mirë” për të garantuar të ardhmen e Izraelit. Angazhimi i SHBA-së për sigurinë e Izraelit është i padiskutueshëm.
Por ai vazhdon të besojë, që zgjidhja me dy shtete është rruga më e mirë, për të siguruar të ardhmen e Izraelit si shtet hebre demokratik, që të ekzistojë në paqe krahas një shteti palestinez të aftë për të mbijetuar, sovran dhe demokratik.
“Të merremi me ndryshimin e klimës”
Një vend të posaçëm në fjalimin e tij zuri tema e mbrojtjes së klimës. Biden i bëri thirrje të gjithë të deleguarve të OKB-së e gjithë bota, që të merren me ndryshimin e klimës.
Gjithashtu SHBA-ja do t’i dyfishojë ndihmat e veta për klimën për vendet e varfëra. Me këtë SHBA do të jetë pararojë në financimin publik për klimën.
Bashkë me bashkësinë e shteteve dhe donatorë të tjerë mund të arrihet qëllimi, që me 100 miliardë dollarë në vit të mbështeten vendet në zhvillim. Në prill Biden deklaroi rritjen e ndihmave për klimën me 5,7 miliadrë dollarë (4,9 miliardë euro) çdo vit.
SHBA duan të çojnë përpara luftën kundër COVID-19
Në luftën kundër pandemisë së koronavirusit Biden deklaroi, se në samitin on-line të mërkurën (22.09) do të bëjë premtime të reja. SHBA do të marrin përsipër të tjera detyrime.
Të dhëna konkrete ai nuk i vuri në dukje. Sidoqoftë tema qendrore e samitit për vaksinimin do të jetë përmirësimi ndërkombëtar i një aksesi të drejtë tek vaksinat.
Më tej presidenti i SHBA-së tha, se sfidat më të mëdha janë të shpëtohen jetë, duke avancuar me vaksinimin në mbarë botën dhe duke formësuar një të ardhme më të mirë. Ai theksoi gjithashtu, se duhet të merren masat për të parandaluar një pandemi tjetër, dhe shtoi, se është i sigurt që do të ketë një pandemi tjetër. Njëkohësisht Biden theksoi, se janë të mundura variante të tjera edhe më të rrezikshme të virusit.
Duhet vepruar tani, për të shpëtuar jetë në mbarë botën. Paraqitja e Bidenit në OKB konsiderohet si pika kulmore, nisur nga fakti që paraardhësi i tij Trump e shfrytëzonte çdo vit këtë podium për të reklamuar politikën e tij të mëvetsishme të “America First”.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Guterres: “Bota në buzë të greminës”
Përpara fjalimit të presidentit të SHBA-së, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u apeloi të deleguarve: “Ne ndodhemi përballë kaskadës së krizës më të madhe të jetës sonë”,- u shpreh ai.
Bota ndodhet buzë greminës dhe njerëzimi po ecën në drejtimin e gabuar.
Sekretari i Përgjithshëm tha, se njerëzit jo vetëm po humbasin besimin tek qeveritë dhe institucionet, por edhe tek vlerat themelore, kur shohin që të drejtat e tyre po shkelen.
Ai u kërkoi krerëve të shteteve dhe qeverive, që të kapërcejnë hendeqet mes tyre dhe të bëjnë më shumë për paqen si dhe për rivendosjen e besimit mes veriut të pasur dhe vendeve të jugut në zhvillim.
/Burimi: DW/