Mbledhja e ardhshme e dy qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës do të zhvillohet në 14 Qershor në Gjakovë.
Mësohet se mbledhja e përbashkët është dakordësuar të mbahet në mes të qershorit në qytetin e Gjakovës për shkak të një simbolike që lidhet me këtë datë.
14 qershori kremtohet nga gjakovarët si dita e çlirimit të qytetit historik dhe përkujtohet në kalendarin e kësaj treve për të nderuar kujtimin e dëshmorëve që dhanë jetën në luftën për çlirimin e Kosovës.
Përgatitjet për këtë mbledhje mes dy qeverive kanë filluar.
Në 14 qershor dy qeveritë do të ulen sërish përballë në takimin e tyre të nëntë në Gjakovë në përpjekje për të përparuar me bashkëpunimin mes dy shteteve të të njëjtës kombësi.
Që prej 11 Janarit 2014 kur për herë të parë nisi ky bashkëpunim janë firmosur dhjetëra marrëveshje.
Arritjet më të rëndësishme janë ato të lirisë së lëvizjes në të dy anët e kufirit, në fushën e shkëmbimeve ekonomike, në fushën e energjisë elektrike, në mësimin e abetares së përbashkët, puna e përbashkët për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar dhe për Historinë e Shqiptarëve, ndërsa në horizont mbetet sfida më e madhe ende e parealizuar, porti i ri detar i përbashkët që është planifikuar të ndërtohet në Porto Romano, një port për krejt hapësirën shqiptare në Ballkan dhe transporti hekurudhor mes Tiranës dhe Prishtinës.