Është duke u mbajtur mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, Shqipëri-Kosovë, ku dhe u njoftuan një sërë marrëveshjesh.
Ministrat e Brendshëm të dy vendeve, Bledi Çuçi dhe Xhelal Sveçla, thanë se sot do të firmoset marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e gjendjes civile, kjo si një mënyrë për të lehtësuar martesat që bëhen mes shtetasve të dy vendeve.
Bledi Çuçi: Marrëveshja e radhës ka të bëjë me shkëmbimin në kohë reale të të gjithë shkëmbimeve të të dhënave të gjendjes civile të shtetasve që janë martuar në dy shtetet, duke bërë të mundur që të shmangim çdo abuzim që mund të bëhet në gjendjen civile. Nëse një kosovar martohet në Shqipëri, do të ketë të gjitha ndryshimet në gjendjen civile në kohë reale dhe Kosova do të lajmërohet, dhe anasjellas. Kjo për të prerë rrugën e njerëzve që i shfrytëzojnë këto mundësi për t’iu shmangur drejtësisë.
Xhelal Svelça: Të dhënat do të shkëmbehen në kohë reale dhe do shkojmë drejt një data baze të përbashkët në të ardhmen. Këtë radhë zgjidhim një problematikë për fëmijët. Në të ardhmen do të ketë ndryshme të reja, që do të lehtësojnë jetën e qytetarëve.