Teksa janë bërë 6 muaj qëkur Sali Berisha shkeli për herë të fundit në Parlament, përpara se GJKKO të vendoste masën “arrest shtëpie”, Partia Socialiste ka vendosur të mos marrë asnjë vendim për t’i hequr mandatin e deputetit ish-kryeministrit.
Burimet i thanë Top Channel se ka qenë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ajo e cila ka thënë se, siç e kanë këshilluar edhe njohësit e Kushtetutës, masa e arrestit në shtëpi nuk konsiderohet mungesë pa arsye në Kuvend.
Qëndrimin e socialistëve e kanë përshëndetur demokratët, ku kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i pranishëm në mbledhje ka mirëpritur këtë hap për të mos rikthyer klimën e konfliktit në Kuvend.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi pas Konferencës së Kryetarë tha se vendimi i jep fund debatit dhe spekulimeve të sponsorizuara nga segmente të mazhorancës.
“Sot Kryetarja e Kuvendit, lexoi drejt Kushtetutën sa i përket mandatit të kreut të opozitës Sali Berisha. Strukturat ligjore të Kuvendit argumentuan se Sali Berishës nuk i ndërpritet mandati pasi mungesa e tij në Kuvend nuk është pa arsye. Kjo i jep fund debatit dhe spekulimeve të sponsorizuara nga segmente të mazhorancës. Ne kërkuam që zotit Berisha, në përputhje me Kushtetutën t’i krijohet mundësia që të ushtrojë të plotë mandatin e deputetit duke marrë pjesë në seancat parlamentare dhe aktivitetet e tjera parlamentare”, tha Bardhi.