Shumë para u grumbulluan në ditët dhe javët e para, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, sa që shifrat ishin vërtetë inkurajuese kur deklaroheshin miliona euro të dhuruara për viktimat dhe të dëmtuarit.
Para u grumbulluan nga shumë qytetarë, shqiptarë nga të katra anët e globit, njerëz shpirt mëdhenj nga bota, nga bamirës të vërtetë por edhe nga bamirës të rremë që përfituan nga kjo situatë.
Por sot kur kanë kaluar gati dy vite nga tërmeti i nëntorit 2019, vetëm një pjesë e gjithë atyre që u dhanë kanë shkuar në destinacion, në një kohë që vetëm qeveria shqiptare po merret me rindërtimin e godinave të shtëpive në disa zona të Durrësit, Tiranës, Laçit dhe Fushë-Krujës.
Një nga organizatat shqiptare bamirëse që në ato ditë të para filloi me shumë bujë grumbullimin e fondeve në të holla nga shqiptarët jashtë vendit, sidomos në SHBA dhe Kanada, ishte dhe organizata me qendër në Amerikë “Rrënjë shqiptare” që për protagonistë kishte gazetarin e “TCH” Marin Mema dhe shqiptaro-amerikanin Marko Kepi.
Por duket se ky i fundit nuk i ka punët edhe aq mirë tani në SHBA, në një kohë që “Rrënjë shqiptare” u harrua bashkë me premtimet për rindërtimin, si dhe me afro 3 milionë dollarë amerikanë të grumbulluara (deklaruar nga vetë gazetari Marin Mema në media).
Projektet ashtu si edhe premtimet për show mediatik u tretën bashkë me paratë që u dhanë nga mijëra shqiptarë si donacione, në një kohë që projektet kanë mbetur vetëm në “3D” dhe në foto të fiksuara nga “Google”.
Nuk dihet se ç’u bë me këto para, se sa të dëmtuar nga tërmeti apo qytetarë të tjerë hallexhinj shqiptarë, përfituan prej këtyre ndihmave, por bashkë me bujën e premtimeve u venit edhe shuma e parave që kishte disa llogari bankare ku të derdhej.
Po pse sot protagonisti i këtyre fondeve humanitare, shqiptaro-amerikani Marko Kepi e ka punën “pisk” në SHBA?
Hetimi për Marko Kepin
Marko Kepi, i riu shqiptaro-amerikan i cili njihet si njeriu që mblodhi rreth 3 milionë dollarë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri është duke u hetuar për manipulim votash në “New York”.
Gazeta “New York Post” shkruan se, Bordi i Zgjedhjeve të qytetit i ka kërkuar departamentit të Drejtësisë të SHBA-ve dhe zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, për të hetuar nëse kandidati Marko Kepi, zhvilloi apo jo, një operacion të paligjshëm të mbledhjes së votave dhe falsifikimit në muajin e fundit, duke regjistruar kështu edhe qytetarë që kishin vdekur për të votuar për të, për një vend në Këshillin e Metropolit në Staten Island.
Me shumë fletëvotime që mungojnë, Kepi, ndjek David Carr me më pak se 200 vota, për linjën Republikane në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit për të zëvendësuar këshilltarin Steven Matteo.
“Gjatë zgjedhjeve të fundit paraprake në New York City, stafi ynë në Richmond County, zbuloi disa parregullsi në lidhje me fletët e votimit që mungojnë”,- thotë Patel, pjesë e bordit të zgjedhjeve.
Bashkangjitur letrave nga bordi u vu në dukje se katër punëtorë të fushatës së Kepit morën dhe dorëzuan 1050 fletëvotime të munguara për zgjedhjet paraprake, disa prej të cilave dyshohet se kishin shumë parregullsi.
“Lajm pa fakte pa verifikime! Lajm fallso! Te ejten me daten 15 korrik numerohen 330 vota të shqiptarëve qe ju mohua e drejta e tyre”,- e quan Kepi informacionin në një reagim në rrjetet sociale të “Top Channel”.
Hetuesit e prokurorit mësynë zyrën e bashkisë në mes të qershorit për të sekuestruar një tufë aplikimesh për votime të papranueshme dhe dokumente të tjerë të paraqitura nga punonjësit e fushatës së Kepit, si për garën e këshillit ashtu edhe ofertën e dështuar të Kepit në vitin 2020, për vendin e 64-të të Asamblesë së Qarkut.
Nuk dihet nëse këto hetime do të shtrihen më tej edhe në aktivitetet private të Kepit në SHBA dhe të organizatës së drejtuar prej tij, por nëse çështja do të merret në dorë nga FBI-ja siç është bërë deri tani për të tilla ngjarje, pa diskutim që në sitën e federalëve do të kalojnë edhe të gjitha fondet dhe fitimet e shqiptaro-amerikanit që ka punuar në krah të fushatës së ish-Presidentit Trump.
Projektet për tërmetin u lanë në mes
Ishte gazetari Marin Mema së bashku me Marko Kepin, Presidentin e “Rrënjëve Shqiptare”, ata që me bujë dhanë lajmin e mirë për të dëmtuarit nga tërmeti, duke i bërë shumë familje që të mbanin dri vonë shpresat gjallë se dikush do t’u rindërtonte shtëpitë.
Mema dhe Kepi ndërmorën nismën për t’u ardhur në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, ku vetëm në 48 orët e para nga hapja e llogarisë për ndihmë, ata grumbulluan 1.3 milionë dollarë, për të cilat siç thanë dy nismëtarët do të përdoren për t’u mundësuar shumë familjeve shtëpi krejtësisht të reja.
Në një intervistë në emisionin “Wake Up” rreth dy vite më parë, ata pohuan se do koordinojnë veprimet me organet përkatëse, por pa lejuar që menaxhimi i fondit të bëhet nga struktura që kanë masakruar ndihmat në raste emergjencash në Shqipëri.
Në atë kohë dy nismëtarët Mema dhe Kepi, kërkuan transparencë si një kusht i domosdoshëm në ketë situatë tragjike, në një kohë që vetë paraqitën më pas edhe disa projekte në 3D se si do të ishte një fshat i goditur nga tërmeti në zonën e Ishmit.
Në atë kohë për ta bërë sa më konkrete aktivitetin e tyre, dhe vetëm disa ditë pas tërmetit të 26 Nëntorit, në një fshat të Shijakut u bë publike për mediat historia e një 87-vjeçari, Halit Subashi, shtëpia e të cilit dhe dy djemve u shkatërrua nga vala tërmetit.
Por organizata “Rrënjë Shqiptare” dhe Marin Mema, pas nisjes së rindërtimit të një shtëpie në Tapizë, mbërritën edhe në fshatin Likeshë të Shijakut, për të ndihmuar familjen e Halit Subashit me 13 anëtarët e saj.
Por do të ishin vetëm kjo banesë dhe 3 të tjera që nisën të rindërtoheshin nga organizata “Rrënjët Shqiptare” dhe më pas gjithçka do të mbetej këtu, edhe pse burime të pakonfirmuara flasin për të paktën 10 milionë dollarë të grumbulluara nga kjo organizatë me qendër në SHBA, për rindërtimin pas tërmetit.
Për të përforcuar idetë dhe projektet e asaj kohe, një prej përfaqësuesve të bordit të kësaj organizate, Alberim Qoku, në krah të gazetarit Marin Mema në atë kohë do të deklaronte se “Rrënjët Shqiptare” ka nën kujdesin e veçantë projektin e fondeve të shqiptareve nga e gjithë bota, ku kontribuuan për të ndihmuar të dëmtuarit nga Tërmeti.
Sipas Qokut, “Bordi i Organizatës kishte menduar t’i ofronte zonës së Ishmit Durrës, përveç ndërtimit të shtëpive, edhe realizimin e një biblioteke të madhe ku fëmijët dhe komuniteti i kësaj zone, të kishin një mundësi më shumë për t’u argëtuar dhe për të zgjeruar dijen”.
Por në atë kohë organizata “Rrënjët Shqiptare” u mundua që të siguronte edhe partner të tjerë si shoqata të huaja dhe Ambasadën e Hungarisë për të çuar edhe më tej këto projekte, por edhe për të ulur kostot e saj dhe për t’i ngarkuar punët të tjerëve, në një kohë që për paratë e grumbulluara nuk u fol më dhe projektet në këto zona mbetën vetëm në “3D”.
/Priza.al/