Nexhmije Pagarusha do të mbushte sot 88 vjeç. E cilësuar si “Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e këngës Shqipe”, “Fyti i kristaltë” etj, zëri saj i ëmbël, është një nga tingujt më të dashur për shqiptarët.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka kujtuar sot këngëtaren e njohur nëpërmjet një postimi në Facebook.
Ai shprehet se Pagarusha ka lënë si dhuratë të çmuar zërin e saj të mrekullueshëm.
“Do të donim të vinim sot në shtëpinë tënde me një tufë lule të të uronim: Edhe 100 vjet zonja Pagarusha! Kishim shumë dëshirë të të kishim sa më gjatë midis nesh. Por ti u largove duke na lënë shumë trishtim, por njëkohësisht na le si dhuratë të çmuar zërin tënd të mrekullueshëm, na le shpirtin e madh të një artisteje të pavdekshme!”, ka shkruar ai krahas disa fotove, ku shfaqet diva e muzikës shqiptare.
Jeta e saj
Nexhmije Pagarusha u lind në Pagarushë (Komuna e Malishevës) më 7 maj të vitit 1933. Ajo ndërroi jetë më 7 shkurt 2020. Nexhmije Pagarusha ishte e martuar me kompozitorin e njohur shqiptar, Rexhep Mulliqi.
Ata kanë së bashku një djalë, Leonard Mulliqi, i cili jeton në Zvicër.
Pagarusha ka jetuar me bashkëshortin e saj në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.
Karriera
Veprimtaria e saj muzikore 50-vjeçare është shumë e gjerë, dhe është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe të operas.
Disa nga këngët që veçohen nga repertori saj janë: “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testinë”, “Kënga e Rexhës”, Baresha” etj.
”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.
Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër. Disa nga filmat ku ka interpretuar janë: “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin”, “Fluturimi i Micakut”.
Ajo u shkollua në Beograd ku ndoqi mësimet për solo-këndim, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Ishte Beagradi qyteti ku ajo pati paraqitjen e saj të parë muzikore në skenë.
Viti 1948 shënon një rëndësi të veçantë për artisten, e cila në atë kohë u pranua si soliste në Radio Prishtinë.
Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji.
Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.
Nderimet
Në vitin 2018, Nexhmije Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Më 7 maj 2018, Nexhmije Pagarusha u nderua me dekorate nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një takim të veçantë.
Ndërkohë në vitin 2018, Ministria e Kulturës në krye atëherë me ish-ministrin Kujtim Gashi, e nderuan me mirënjohje këngëtaren e emëruar si “Bilbili i Kosovës”, për kontributin e saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe.