Paradoksi i strategjisë europiane (dhe i NATO-s): Nëse tensionet mes Greqisë dhe Turqisë do të arrijnë një ditë në pikën e moskthimit, Franca dhe Gjermania mund të përplasen me njëra-tjetrën në Mesdhe për armatimet e kundërta.
Stefano Montefiori – Corriere della Sera
“Belharra” është emri i një vale gjigante, të lakmuar nga sërfistët, e cila nganjëherë formohet në brigjet e Urrugne, në zonat basko-franceze. Ky është edhe emri i tre fregatave që Franca i shiti Greqisë një javë më parë. “Classe U-214” është emri më pak evokues i gjashtë nëndetëseve që Gjermania synon t’i shesë Turqisë, pavarësisht protestave greke dhe opinionit të kundërt të disa palëve (Të Gjelbërve dhe Die Linke).
Presidenti francez, Emmanuel Macron e ka bërë veten bartës standard të parimeve të tilla, si “sovraniteti europian” dhe “mbrojtja e përbashkët e BE-së”, por nëse tensionet midis Greqisë dhe Turqisë do të rriteshin një ditë deri në pikën e moskthimit, Franca dhe Gjermania mund të përballen me njëri-tjetrin në Mesdhe për armatimet e kundërta: anijet franceze “Belharra” kundër nëndetëseve gjermane “U-214”.
Është paradoksi që thekson më së shumti vështirësitë e arritjes së një vizioni të përbashkët strategjik europian në fushën e politikës ndërkombëtare dhe për këtë arsye të mbrojtjes.
Kontrata për shitjen e fregatave, të ndërtuara në kantierin e Lorientit nga “Naval Group”, është pjesë e një marrëveshjeje globale politiko-ushtarake të nënshkruar nga Macron dhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.
Pas shuplakës së pësuar nga Australia, e cila theu paktin me Parisin, duke preferuar të kthehej me SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar në zonën Indo-Paqësore, Franca rifilloi nismën duke ndryshuar teatrin.
Ajo u zhvendos nga Paqësori në Mesdhe dhe ka hyrë në një aleancë të thelluar me një vend tjetër të Bashkimit Evropian.
Në nenin dy të marrëveshjes Paris-Athinë, thuhet se “palët do t’i japin njëra-tjetrës ndihmë reciproke, me mjetet e duhura në dispozicion të tyre dhe nëse është e nevojshme edhe me “përdorimin e forcës, nëse së bashku ata zbulojnë se një sulm i armatosur është duke u zhvilluar kundër territorit të njërit prej të dyve, në përputhje me nenin 51 të OKB-së”.
Një klauzolë shumë e kërkuar e ndihmës reciproke, e ngjashme me nenin 5 të NATO-s, i cili sipas Macron, përfaqëson “një hap të parë dhe të guximshëm drejt autonomisë strategjike evropiane” dhe që zyrtarizon një marrëveshje tashmë të dukshme në terren.
Në verën e vitit 2020, anijet turke kaluan në një zonë të diskutueshme të zonës ekskluzive ekonomike greke në Mesdheun lindor, ku u zbuluan fusha të rëndësishme gazi. Franca reagoi menjëherë përkrah Greqisë dhe dërgoi dy anije ushtarake dhe dy avionë luftarakë “Rafale” në zonë.
Disa muaj më vonë, marrëdhëniet midis Francës dhe Turqisë ranë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, me presidentin Erdogan që vuri në dyshim “shëndetin mendor” të Macron, duke e akuzuar atë se po zhvillonte një “fushatë urrejtjeje kundër Islamit” për mbrojtjen ndaj sulmit të revistës franceze “Charlie Hebdo”.
Gjermania, nga ana tjetër, shtylla tjetër e “çiftit franko-gjerman” dhe një partner themelor në një “mbrojtje të përbashkët” hipotetike, gjatë krizës verore në Mesdheun Lindor, nuk ndërhyri në favor të Greqisë, një aleate evropiane, pavarësisht nga ftesat e përgjithshme për dialog. Në të vërtetë, shitja e gjashtë nëndetëseve “U-214” në Turqi, e vendosur vite më parë, është konfirmuar me gjithë zemërimin e autoriteteve greke.
Athina u kishte kërkuar aleatëve të saj evropianë një embargo armësh ndaj Turqisë, por nuk u mor vesh, kryesisht për shkak të kundërshtimit të Gjermanisë.
Marrëveshja e Athinës me Parisin është pra një mënyrë për t’u demonstruar turqve se Greqia nuk është e vetme, duke treguar edhe një herë kontradiktat e NATO-s, aleancës ushtarake transatlantike të lindur në vitin 1949, që Macron e ka përcaktuar si “të vdekur nga truri”.
Nëse NATO është minuar nga problemet e thella dhe të gjata, jo më pak prezenca brenda saj e dy vendeve kundërshtare si Greqia dhe Turqia, kërkohet një koherencë më e madhe për “autonominë strategjike evropiane” në lindje.
Por vendet e BE-së, gjithashtu konkurrojnë në tenderët për furnizimet ushtarake, të cilat vendosen nga çështje teknike, por edhe politike: nuk është rastësi që Greqia ka zgjedhur fregatat “Belharra” të Francës, duke i preferuar ato nga anijet e propozuara nga kantierët detarë gjermanë “Tkms”.
Edhe pa një konfrontim detar midis fregatave “Belharra” dhe nëndetëseve “U-214”, do të jetë interesante të shihet se si Parisi, Berlini dhe “mbrojtja e përbashkët evropiane”, do të arrijnë të dalin në sipërfaqe në rast të një krize të re në Mesdheun lindor.
/Burimi: Corriere della Sera/ Përshtati Priza.al/