Mbyllen hetimet për Tom Doshin, verifikimi mbërrin në KQZ! Çfarë pritet të ndodhë…

Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka mbyllur hetimet për Tom Doshin dhe dosjen ia ka përcjellë sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky i fundit ka në dorë të shqyrtojë nëse janë evidentuar të dhënat, t’i vlerësojë si dhe të marrë një vendim nëse mandati që mori Doshi nëse zgjedhjet e 25 prillit, është i vlefshëm.

Tom Doshi ishte në listën e 28 kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i nisi për verifikim Prokurorisë së Përgjithshme.

Njoftimi zyrtar:
Sektori i Dekriminalizimit prane Prokurorisë së Përgjithshme ka miratuar rezultatet e verifikimit për subjektin Tom Gjek Doshi dhe ia ka përcjellë sot më 04.11.2021 Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili si organ kompetent në zbatim të nenit 12 e 13 të Kreut V të Vendimit të Kuvendit nr.17/ 2016, duhet të shqyrtojë nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe në vijim  të vlerësojë nëse ato janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar në po këtij ligji.

Gjatë verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme kërkoi të dinte me anë të një kërkese drejtuar Ambasadës së SHBA, informacionet që kjo ambasadë disponon rreth Doshit, nisur dhe nga fakti që Departamenti amerikan i Shtetit në prill të vitit 2018, vendosi që t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara Doshit dhe anëtarëve të tjerë të familjes së tij.

Ndërkaq, ambasadorja amerikane Yuri Kim, bëri thirrje të përsëritura për të penguar rikandidimin e Doshit në zgjedhjet e 25 prillit. Pas këtyre ngjarjeve, Tom Doshi dha dorëheqjen nga kreu i PSD. Tom Doshi po ashtu dha dorëheqjen nga mandati i deputetit vetëm pak orë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *