Ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet lokale në të gjithë vendin. Sipas të dhënave paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të deklaruara nga kreu i saj Ilirian Celibashi pjesëmarrja në këto votime ishte rreth 34%, më e ulëta historike, me përjashtim të vitit 2019, kur zgjedhjet u bojkotuan nga opozita dhe si rrjedhojë pjesmarrja ishte e ulët, në 22.3%.
Celibashi tha se këto janë të dhëna paraprake rreth 34%, për 3.2 milionë zgjedhës, që kanë raportur, nga 3.56 që është numri total i votuesve.
Përgjatë gjithë ditës, çuditërisht QKZ ka raportuar pjesëmarrjen vetëm nga të dhënat e gjysmës së qendrave të votimit (nga 5213 që janë gjithsej), ndonëse këto ishin zgjedhjet më të kushtueshme për shkak të investimeve në pajisje elektronike.
Nga 3.65 milionë shtetas shqiptarë, që kishin të drejtë vote, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, nëse kjo përqindje do të jetë përfundimtare vlerësohet se në zgjedhjet e sotme kanë votuar vetëm 1.2 milionë persona, sërish numri më i ulët historik, me përjashtim të 2019-s. Në zgjedhjet e përgjithshme 2021 votuan 1.66 milionë persona dhe në zgjedhjet vendore 2015 ishin 1.61 milionë votues.
Që nga vitet 2000, përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhjet vendore ishte luhatur midis 45-50%, ndërsa në zgjedhjet qendrore ka qenë pak më e lartë, duke e kaluar edhe nivelin e 50%.
Emigrimi i lartë i cili shënoi një rigjallërim vitet e fundit, sidomos në vitin 2022, vlerësohet të jetë një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në këtë pjesëmarrje të ulët në zgjedhje. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, popullsia mbi 18 vjeç, që vlerësohet se jeton në Shqipëri (censi i fundit i përket vitit 2011), ishte 2.23 milionë banorë deri në fund të vitit 2021.
Në tre bashki, Elbasan, Kamëz dhe Vorë, numërimi do të jetë elektronik dhe pritet që të përfundojë brenda mbrëmjes të së dielës.
Në Vorë, fitues rezulton kandidati i Patrisë Socialiste dhe në Kamëz kryeson po kandidati i PS-së./ Monitor