Mbyllet Albanologjia/ Zbardhet vendimi i qeverisë: Ja si do të bëhet riorganizimi

Qeveria ka publikuar sot vendimin për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike, ku ndër të tjera theksohet se të gjitha të drejtat dhe detyrimet e këtij institucioni kalojnë tek Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Po ashtu, sipas vendimit të qeverisë, njësitë kryesore ekzistuese, Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve dhe personeli akademik i këtyre njësive, aktualisht pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike riorganizohen si njësi të kërkim-studimit pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, brenda datës 31dhjetor 2023.

Teksa rendit detyrimet që ka Akademia e Studimeve Albanologjike, qeveria thotë se ky institucion duhet të marrë masa që të vijojë ushtrimin e veprimtarisë së saj akademike, kërkimore-shkencore, administrative dhe financiare, deri në transferimin e plotë të njësive përbërëse pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

VENDIMI I QEVERISË

V E N D I M PËR MBYLLJEN E VEPRIMTARISË SË AKADEMISË SË STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE DHE RIORGANIZIMIN E NJËSIVE KRYESORE TË SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “l”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 19, të ligjit nr.53/2019, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe transferimin e të gjitha të drejtave dhe detyrimeve të saj tek Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
2. Njësitë kryesore ekzistuese, Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve dhe personeli akademik i këtyre njësive, aktualisht pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike riorganizohen si njësi të kërkim-studimit pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, brenda datës 31dhjetor 2023.
3. Të gjitha asetet, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme në administrim të Akademisë së Studimeve Albanologjike kalojnë në administrim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e cila ka detyrimin t’i ruajë dhe t’i mirëmbajë pasuritë në administrim dhe nuk mund të ndryshojë apo të tjetërsojë destinacionin e tyre, në përputhje edhe me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore.
4. Akademia e Studimeve Albanologjike ka këto detyrime:
a) Të marrë të gjitha masat për transferimin e studimeve për doktorantët e padiplomuar në ciklin e tretë të studimeve për fitimin e gradës shkencore “Doktor” në institucione të tjera të arsimit të lartë, vendase apo të huaja, që ofrojnë programe studimi në fusha të njëjta apo të ngjashme;
b) Të përgatitë dosjen për çdo doktorant, me dokumentacionin e nevojshëm dhe t’ia vendosë në dispozicion doktorantëve, pa detyrim financiar shtesë nga ana e tyre, brenda datës 31 gusht 2023;
c) Të përcjellë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dosjet e doktorantëve që nuk do të tërhiqen prej tyre, brenda datës 8 shtator 2023;
ç) Të dorëzojë dokumentacionin ligjor, administrativ, financiar dhe akademik që disponon dhe mbi bazën e të cilit ka zhvilluar veprimtarinë e saj akademike dhe kërkimore-shkencore në strukturat përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi për arkivat;
d) Të vendosë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit çdo informacion të kërkuar, deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim.
5. Akademia e Studimeve Albanologjike të marrë masa që të vijojë ushtrimin e veprimtarisë së saj akademike, kërkimore-shkencore, administrative dhe financiare, deri në transferimin e plotë të njësive përbërëse pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
6. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Studimeve Albanologjike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *