Arjan Tase, ish-shefi i komisariatit të Himarës është marrë i pandehur për vrasjen e Jonada Avdiaj, vogëlushes 7 vjeçare që humbi jetën tragjikisht në 2 gusht 2022, në plazhin e Potamit.
Prokuroria e Vlorës, ka mbyllur hetimet, duke ngritur akuzën e “Vrasjes së kryer në formën e dashjes indirekte” për Arjan Tasen.
Sipas dosjes hetimore, Tase teksa drejtonte një gomone në një zonë detare të ndaluar dhe e destinuar për pushues, ka goditur me helikat e motorëve vajzën e mitur, Jonada Avdia, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Gjatë fazës së komunikimit të akuzës punonjësi i policisë Arjan Tase, ka pranuar autorësinë e krimit, duke kërkuar falje familjarëve të vajzës së mitur.
Pritet që në ditët në vijim, dosja penale ti nënshtrohet gjykimit në seancë paraprake, ku do kontrollohen veprimet hetimore të kryera nga prokuroria e Vlorës.
Vdekja e vajzës së vogël në plazhin e Potamit, vitin e kaluar tronditi opinionin publik në kulmin e sezonit turistik.