Mbyllen sot hetimet për dosjen Partizani, ndërsa ish kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, nuk do të paraqiten në SPAK për të firmosur mbylljen e hetimeve, para se çështja t’i dërgohet GJKKO-së për proces, por do të çojnë avokatët.
Deri tani për dosjen Partizani, që ka të bëjë me aferën e privazitimit të kompleksit sportiv dhe më pas ndërtimin e 19 kullave janë marrë të pandehur 5 persona: Ish kryeministri Sali Berisha, dhëndrit i tij, një nga ish pronarët e truallit, mbi të cilin më pas, u ngrit kompleksi i kullave, ndërtuesi Fatmir Bektashi, ortaku i Malltezit por dhe trashëgimtar i tokës, Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina e cila ka përpiluar dokumentet për firmën ‘homeplan’.
Më 11 shtator Sali Berisha u paraqit në SPAK, ku iu komunikua zyrtarisht masa “i pandehur” për akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ish kryeministri doli nga banesa ku qëndronte në arrest shtëpie dhe shkoi në Prokurorinë e Posaçme për t’u njohur me akuzën. Berisha qëndron në “Arrest shtëpie” që prej 30 dhjetorit 2023. Familja Berisha kundërshton një sërë elementesh të përfshira në dosjen prej 500 faqesh, që SPAK ka përpiluar në përfundim të hetimeve mbi privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Ndërkohë Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 19 nëntor, ora 10:00 si seancë për të parë për të shqyrtuar ankimin e ish kryeministrit Berisha për masën e parë të sigurisë, “detyrim me paraqitje”, të dhënë tetor të vitit 2023. Seanca do të zhvillohet mbi një bazë dokumentash ku Berisha kërkon shfuqizimin e e vendimeve të të GJKKO-së, Apelit të GJKKO-së dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Dosja prej 500 faqesh e përpiluar nga prokurorët e SPAK Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kalon në GJKKO në të cilën me short elektronik zgjidhet një gjyqtar për seancën paraprake.
Gjykatësi paraprak vendos nësë janë kryer hetime të plota, dhe nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do ta rikthejë në SPAK për hetime të mëtejshme, ose vendos të rrëzohet çështja.
Këtu nis përballja në Gjykatën e Posaçme. Nëse gjyqtari pranon aktet e dosjes së SPAK, atëherë gjyqi cilësohet i çelur dhe nis shqyrtimi në themel me seanca në vijim dhe trup gjykuese.
Berisha dhe Malltezi vijojnë të jetë nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ dhe kanë mohuar akuzat duke i quajtur si të stisura nga kryeministri Edi Rama. Madje në cdo dalje sulmojnë prokurorët e SPAK dhe kreun e kësaj prokurorie Altin Dumani.
Dosja
Kompleksi sportiv ‘Partizani’ me 26 mijë metër katrorë, pronë e ushtrisë, me të ardhur në pushtet kryeministri Berisha u zëvendësua brenda pak vitesh nga një kompleks pallatesh me 19 kulla, për të cilin prokurorët thonë se iu hap rruga përmes korrupsionit pasiv e aktiv nga Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi.
Jamarbër Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi. Malltezi akuzohet nga SPAK se ka përfituar shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri. Në 22 tetor SPAK tha se përfitimi i Jamarbër Malltezit ka qenë 5.4 milinë euro
Ndërsa për Fatmir Bektashin, Xhimi Begenë dhe Andia Pustinën u ngrit akuza për pastrim parash. Akuzohen se kanë ndihmuar Malltezin përmes veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme të ardhurat miliona euro.
Të pandehurit e dosjes ‘Partizani’
Sali Berisha ish kryeministri – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe per “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe ‘pastrim parash’
Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashegimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ akuzohet për ‘Pastrim Parash’
Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k – Akuzohet për ‘Pastrim Parash’