Shoqëria civile ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë, për mbylljen e Akademisë së Studimeve Albanologjike. “Qëndresa Qytetare” e konsideron të paligjshme këtë vendim të qeverisë, për mbylljen e këtij institucioni të arsimit të lartë. Në reagimin zyrtar thuhet se Akademia e Studimeve Albanalogjike është institucioni më i rëndësishëm në ruajtjen e identitetit, historisë dhe gjuhës shqipe. Më tej shkruhet se nëse rektorët dhe studentët bashkërisht do të lejojnë mbylljen e Akademisë me vendim nga Ministrja Evis Kushi, kjo do të jetë një ditë zie për lirinë akademike, politike dhe kërkimin shkencor në vend.
“Akademia e Studimeve Albanalogjike sot mban statusin e Universitetit, ka Bord Administrimi, Senat, studente doktorate. Eshte institucioni me i rendesishem ne ruajtjen e identitetit, historise dhe gjuhes shqipe. VKM për shkrirjen e saj me Akademinë e Shkencave është e paligjshme, e pakonsultuar dhe pa vullnetin e Senatit Akademik të ASA, sic e parashikon neni 30, pika 4 e ligjit per Arsimjn e Larte.
Mbyllja e ASA me nje VKM me 4 pika, i hap rrugen nje precedenti te frikshem, ku Qeveria apo Ministria e Arsimit mund te shkrije dhe shuaje se ekzistuari cdo Universitet Publik ne vend, pa deshiren dhe vullnetin e tyre. Mbyllja e ASA kerkon te nenshtroje trupen me te larte akademike qe i kane dhene vendit kontribut te larte ne ruajtjen e historise, arkeologjise dhe gjuhes shqipe nen drejtimin e nje trupe te perbere nga Akademike te ardhur nga politika dhe sistemi komunist.
Nese Rektoret, Lektoret, dhe Studentet do te lejojne mbylljen e Akademise se Identitetit shqiptar me vendim arbitrat nga Ministrja Evis Kushi, do te jete nje dite zie per lirine akademike, lirine politike dhe kerkimin shkencor ne vend”.
Sipas vendimit të propozuar nga Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, Akademia e Studimeve Albanologjike, rrezikon që të shkrihet dhe të gjitha asetet i kalojnë Akademisë së Shkencave. Ky projekt-vendim i qeverisë është kundërshtuar nga Senati Akademik dhe rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, të cilët kanë kërkuar tërheqjen e kësaj nisme, duke e cilësuar në kundërshtim me ligjin.