Duket se akuzat e kundër-akuzat nuk do të ndalen ndërmjet kryeministrit Rama dhe presidetit Meta, pas bllokimit të punës në aeroportin e Rinasit. Kreu i qeverisë nënvizoi se ky veprim është vepër penale, dhe se kundërshtarët e tij politikë duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat. E ndërsa Meta ia ktheu duke thënë se siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare.
Rama ka hedhur akuza ndaj presidentit Ilir Meta, lidhur me bllokimin e të gjithë fluturimeve nga aeroporti i Rinasit, për shkak të grevës së kontrollorëve ajror të “AlbControl”. Ai shkruan në Twitter se presidenti Meta është një nga dy nxitësit e kësaj goditjeje, ku sipas tij, janë në kërkim për rrëzimin e qeverisë e të vetë shtetit.
Statusi nga Rama
Ilir, dokrrat me injorimin e kërkesave të pseudosindikatës së kontrollorëve dhe predikimet për mosndërprerjen e punës në aeroport nuk pinë ujë!Je një nga dy nxitësit e kësaj goditjeje të çmendur, në kërkimin e palodhur të rrëzimit të qeverisë e të vetë shtetit!T’i harrosh të dyja!
Ilir,dokrrat me injorimin e kërkesave të pseudosindikatës së kontrollorëve dhe predikimet për mosndërprerjen e punës në aeroport nuk pinë ujë!Je një nga dy nxitësit e kësaj goditjeje të çmendur, në kërkimin e palodhur të rrëzimit të qeverisë e të vetë shtetit!T’i harrosh të dyja!
— Edi Rama (@ediramaal) April 7, 2021
Nga ana tjetër, Meta ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet zyrtarisht sot nga Vlora, ndërkohë që ka ftuar të marrë pjesë në konferencën e tij edhe Damian Gjiknuri.
Statusi nga Meta
Qeverisë së 1 Prillit do t’ia jap sot pasdite nga Vlora përgjigjen për çështjen e Aeroportit të Rinasit, si çështje shumë e rëndësishme e sigurisë kombëtare dhe e detyrimeve ndërkombëtare. Nëse është hapur Aeroporti i Vlorës, konferencën e shtypit do e bëjmë atje, por nëse jo, në një ambient tjetër të përshtatshëm për të cilin gazetarët do të njoftohen në kohë. Ftohet dhe “Tërmeti” të marrë pjesë për shkak të përvojës së tij me aeroportet, fluturimet dhe jo vetëm.