Një familje nga Puka është kërcënuar nga një i ri që e humbi kontrollin menjëherë mbasi ai është informuar se ishte denoncuar në polici prej tyre. Por i riu që i ka frikësuar nuk është as më pak dhe as më shumë, por ‘dhëndri’, i dashuri i vajzës së familjes denoncuese.
Dhe gjithë molla e sherrit midis tyre është e reja. Megjithatë, ndonëse të lidhur disafish asnjëra nga palët nuk ka lëshuar pe, ndaj të dyja palët kanë përfunduar veç e veç në komisariatin policor të kryeqytetit.
Inatet mes palëve i ka mbajtur shënim komisariati numër 4 ju tha gazetës Si nga burime të besueshme që po trajtojnë rastin për të nxjerrë të vërtetën dhe versionin që asnjëra nga palët nuk e thotë me sinqeritet para policëve.
I pari është paraqitur shtetasi G.N bën me dije policia që është vëllai i vajzës. 35-vjeçari nga Puka dhe me banim në Tiranë shkoi në polici për të kërkuar ndihmë, mbasi e motra e tij ishte larguar nga shtëpia. 18-vjeçarja me inicialet T. N nuk dihej ku ishte për disa ditë dhe mbas kërkimeve policore u zbulua se ajo kishte udhëtuar drejt një qyteti tjetër për fundjavë. Policia i thotë gazetës Si për këtë denoncim: vajza kishte shkuar në qytetin e Lezhës së bashku me të dashurin.
Megjithatë, policia e intervistoi të renë që shpjegoi se ishte larguar me dëshirën e saj dhe nuk e kishte detyruar askush “aq më tepër që nuk kam konflikte me askënd për këtë lidhje”, ka shtuar 18-vjeçarja. Por nuk sqarohet se si pa kaluar shumë ditë nga kthimi i adoleshentes në shtëpi, i dashuri i saj u informua që policia ishte alarmuar për ikjen e saj. “Megjithëse kemi dyshime se për këtë gjë e ka informuar e dashura”, – thotë jozyrtarisht policia për gazetën Si. Me motrën në shtëpi dhe falë ndihmës së policisë që e kërkoi, G.N u paraqit për herë të dytë në polici. Denoncimi i tij kësaj radhe është për të dashurin e saj, një shtetas me inicialet P.K që kur ka mësuar se familja e kërkoi të renë duke angazhuar policinë ai është nevrikosur.
“Kallëzoj faktin se ky person pra P.K, më ka dërguar fjalë mua dhe gjithë familjes. Na ka kërkuar që të mbyllemi brenda në shtëpi sepse sipas ultimatumit që na ka dërguar thotë që e kemi prerë në besë. Prerje në besë sipas tij është pse e shpallëm motrën në kërkim, mbasi sipas tij atij i është dëmtuar burrëria dhe i është lakuar emri i të dashurës në komisariat”.
Policia i thotë gazetës Si se ka shkruar denoncimin për dyshimet e kanosjes për jetën dhe i ka dërguar ftesë “dhëndrit” që të paraqitet urgjent në polici.
Marrë nga Gazeta Si –