Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të bluve ka komentuar vendimin e djeshëm të Gjykatës së Apelit. Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri përsëriti akuzat ndaj ambasadores së SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim. Sipas Berishës diplomatja amerikane bëri gjithçka për të mbajtur Lulzim Bashën në krye të Partisë Demokratike.
“Duhet të pranojmë që përpjekje nuk pati vetëm nga McGonigal, por kaq e angazhuar në mënyrën më të papërgjegjshme ishte dhe McGonigal me fustan apo zonja Yuri Kim e cila ka heshtur nga 25 janari deri sot, nuk shqipëron një fjalë, nuk u thotë një fjalë të vetme shqiptarëve për gjëmën që McGonigal i kontraktuar nga Rama u përpoq ti bënte opozitës.
Ajo në detyrë përdori gjithë pushtetin e Ambasadës së SHBA për të mbajtur kryetar të kësaj partie Lulzim Bashën, njeriun e paguar me para ruse. Ka një enigmë të madhe në përpjekjet e kësaj zonje, si mundet që përfaqësuesja e vendit të madh të lirisë të bëjë gjithçka që të vendosë në krye të opozitës si kryeministrin alternativ njeriun e financuar nga rusët? I bëj thirrje inspektorit të përgjithshëm të DASH, Kongresit dhe FBI të hetojë këtë veprimtari” – tha Berisha.