Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar inspektim në Gjykatën e Apelit në Korçë, një ditë pas ndryshimit të masës për gjykatësin Dhimitër Pojanaku.
Gjykata e Apelit në Korçë caktoi masën “Arrest shtëpie” për gjykatësin Dhimitër Pojanaku i cili akuzohet për korrupsion. Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg për gjyqtarin dhe poetin Pojanaku, por Gjykata argumentoi vendimin me profesionin e gjyqtarit.
Gjyqtari Dhimitër Pojanaku u arrestua në kushtet e flagrancës disa ditë më parë teksa ishte duke marrë një sasi lekësh nga një qytetare për mbylljen e një çështjeje. Shtetasja me iniciale B.R. ka denoncuar gjyqtarin në Prokurorinë e Korçës. Ajo ka deklaruar se Pojanaku i kishte kërkuar para, për të mbyllur një çështje që ishte hapur me një padi civile.
Gjyqtari dhe qytetarja janë takuar në një prej lokaleve të Pogradecit. Por ndërsa gruaja i ka dhënë paratë Pojanakut, atij i janë vënë prangat. Por vetë gjyqtari Pojanaku i ka mohuar akuzat.