Komisariati nr.3 në Tiranë u kthye mbrëmjen e djeshme në një skenë krimi, pasi një efektiv qëlloi kolegun me armën e shërbimit, duke i marrë jetën.
Ludian Zaimi qëlloi me armën e shërbimit Çaush Saliasin, 55 vjeç, ndërsa ky i fundit ndërroi jetë në spital.Në dëshminë e tij, autori ka thënë se viktima e ka ngacmuar me fjalë dhe të gjitha këto i kishte akumuluar.
“Para se të merrnin shërbimin ndodheshim në zyrën e ndarjes së turneve. Kam qenë tejet i mbyllur, më ka ngacmuar me fjalë dhe disa herë ofenduese. I kisha akumuluar të gjitha këto deri në mbrëmjen e sotme”, ka thënë ai.
Ngjarja ka ndodhur përpara se efektivët të merrnin shërbimin. Çaush Saliasi ka marrë 6 plumba në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa nuk mundi t’u shpëtojë plagëve. Autori kishte vetëm një vit e gjysmë që ishte bërë pjesë e policisë, ndërsa viktima ishte prej 20 vitesh polic.