Sot Tirana u trondit nga një tjetër aksident fatal, që la të plagosur rëndë një grua 30-vjeçare, që fatkeqësisht ishte edhe shtatzënë, por që për autor kishte një djalë adoleshent 19-vjeçar, fëmijë të një personazhi të njohur që deri dje mbronte rendin.
Pra, 19-vjeçari Jehon Breçani, që tashmë është mësuar se është djali i ish-oficerit të lartë të policisë, Erzen Breçani, është shoferi i mjetit që u përfshi në aksident, pasditen e sotme në rrugën “Xhanfize Keko” në zonën e Kinostudios në Tiranë.
Djali që drejtonte një “Mercedes Benz S-Class”, që moshatarët e tij do ta kishin zili dhe ëndërr, por që edhe burra të mëdhenj dhe me plot karrierë duan një jetë për ta blerë, po fluturonte me shpejtësi “skëterrë” nëpër rrugët e Tiranës deri sa përfundoi mbi një trotuar ku goditi një grua të re që shumë shpejt do të bëhej nënë dhe më pas theu edhe një pemë.
Por 6 orë më parë, para goditjes fatale, ai kishte postuar në rrjetin e tij social në Instagram, ashtu si të gjithë bashkëmoshatërt e tij, pikërisht një foto nga timoni i mjetit që drejtonte duke e bërë “Story”.
Por duket se ajo do të bëhet edhe “Story” e tij e fundit për shumë kohë, pasi tani djali 19-vjeçar do të ketë punë me ligjin dhe me ish-kolegët e të atit.
Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, i riu po ecte me shpejtësi “skëterrë” me Benzin e tij të zi.
Ndërkohë, pasioni për makinat kuptohet edhe nga postimet që 19-vjeçari ka bërë në rrjetet sociale. Në “story-n” e fundit që ka hedhur në Instagram, ai duket në timon me “Benz”-in luksoz me targa “AA 888 XX”, pak orë para se të përplaste 30-vjeçaren.
Gjithashtu në profilin e tij në Instagram, ai shfaqet edhe me makina të tjera të tipit “Jeep” dhe “BMW”.
Shkak i aksidentit të rëndë, sipas policisë, u bë humbja e kontrollit të mjetit prej shpejtësisë së lartë, ku fillimisht “Benz-i” doli nga rruga duke u përplasur me bordurat anësore dhe më pas mori përpara 30-vjeçaren, e cila ndodhet në spital dhe ka humbur njërën këmbë.
/Priza.al/