Një punonjëse e një kompanie sigurimesh në Sarandë është kërcënuar me thikë nga një person, teksa ka qenë tek bankomati për të tërhequr një shumë lekësh. Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme, e ndërsa shtetasja me inicialet A.M., ka denoncuar në policinë e Sarandës për një person, se e ka kërcënuar me jetë për t’i marrë paratë.
“Në momentin kur po kryeja veprimet, një i ri, pa maskë, por me syze u afrua dhe më vuri një thikë në ije, në një mënyrë për të mos u parë nga të tjerët. Më kërcënoi që t’i jepja lekët që po merrja nga bankomati, ose të bëja një tjetër tërheqje. I thashë se nuk kam më shumë, kaq kam. Ndërkohë ai vazhdonte duke më thënë ‘o më dorëzo lekët, ose të vrava. Do jetën apo lekët”, deklaroi ajo në polici.
Duke përfituar nga prania e qytetarëve të tjerë, ajo është shkëputur nga aty dhe ka shkuar në Komisariatin e Policisë për të bërë denoncimin për rastin. Sipas saj, personi ishte i panjohur për të. Policia po punon për identifikimin e autorit.