Policia e Lezhës ka arrestuar burrin i cili tentoi të kryente marrëdhënie seksuale me të mitur.
Në fakt, e gjitha ishte një inskenim i një emisioni investigimi në vend, i cili kishte infiltruar një gazetare si të mitur, ku dhe u arrit të zbuloheshin aktet e turpshme të burrit.
Mësohet se është nga Shënkolli dhe se po hetohet nëse ka pasur raste të tjera të abuzimeve të tij.
Lidhur me këtë ngjarje, policia po kryen hetime të plota edhe pse nuk ka pasur asnjë denoncim të bërë ndaj personit në fjalë.
Sakaq, apeli i kësaj të fundit është që qytetarë të denoncojnë çdo rast të mundshëm të këtyre akteve.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me rastin e publikuar në emisionin “Piranjat”, në të cilin është trajtuar rasti i një shtetasi që dyshohet se ka ngacmuar seksualisht nje shtetase 15 vjeçe dhe ka kryer veprime të turpshme ndaj saj, ju bëjmë me dije se:
Pas publikimit të këtij rasti, shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë ndaluar, për veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Vepra të turpshme”, shtetasin K. Gj., 45 vjeç, banues në fshatin Tale, person me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Vijojnë hetimet për verifikimin dhe dokumentimin e rasteve të tjera të kësaj veprimtarie kriminale, që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të tilla dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.