Ishin disa metoda që hetuesit grekë i kishin mësuar në trajnimet me FBI-në amerikane, ato që zbërthyen dhe zbardhën të gjithë dinamikën dhe skenën se si ishte vrarë 20-vjeçarja bukuroshe Caroline Crouch, në shtëpinë e saj “Glyka Nera”.
Madje ishte puna intensive por dhe delikate e hetuesve ajo që bëri të zbulohej fare mirë se autor i këtij krimi të kobshëm ishte pikërisht bashkëshorti i nënës së re.
Mediat greke kanë zbuluar se si Babis Anagnostopoulos, pasi mbajti për 37 ditë më radhë të fshehur krimin ndaj bashkëshortes u zbërthye para hetuesve.
Ai ishte në të 40-tat e Caroline Crouch në ishullin Alossinos, kur një helikopter i Policisë shkoi e mori.
Anagnostopoulos u dërgua në katin e 11-të të ndërtesës së Policisë greke në Athinë, për t’u marrë në pyetje. Bëhet me dije se ai nuk ka marrë asnjë kërcënim, apo shantazh, ngritje zëri apo dhunë.
Hetuesit e specializuar e kanë trajtuar atë si dëshmitarin e fundit të një ngjarje makabre dhe e kanë pyetur ”Babis, ke ndonjë gjë për të na thënë? Dhe çfarë thua, Babi, atëherë ata e mbytën Caroline …?”.
Pas disa orësh diskutime, piloti grek i lodhur dhe i mbërthyer pas karriges më në fund pranoi krimin “Më falni, unë e bëra atë…”.
Hetuesit më pas kanë vijuar me taktikat e tyre për ta ”çmontuar” 32-vjeçarin, duke i thënë butësisht “Po Babis, çfarë tjetër?”.
Po atë ditë u konfirmua si nga mediat dhe nga Policia greke, se autori i vrasjes ishte Babis Anagnostopoulos, falë provave të grumbulluara dhe në fund edhe nga aprovimi i tij se kishte vrarë bashkëshorten 20-vjeçare, duke stisur gjithë ngjarjen për më shumë se 1 muaj.
/Priza.al/