Teksa fluksi i emigrantëve shqiptarë për në Angli vijon të mbetet i lartë, duket se kjo përbën një problem të madh për autoritetet britanike.
Prej muajit korrik ka një shtim të të rinjve shqiptarë që rrezikojnë jetën duke kaluar La Manshin me gomone.
Mediat britanike shkruajnë se shifrat e shqiptarëve që lënë vendin e tyre po rriten gjithnjë e më shumë, duke shfrytëzuar madje edhe uljen e çmimit që trafikantët kanë vendosur.
Trafikantët u kërkojnë 1500 paund emigrantëve që kryesisht janë shqiptarë për të kaluar Kanalin me një gomone. Të gjithë punën e tyre ata reklamonin në rrjetet sociale, duke krijuar jo vetëm besueshmëri, por madje edhe siguri se njerëzit që donin të shkonin në Angli janë të sigurt që mbërrijnë shëndoshë e mirë. Shifrat në çdo nisje, kryesisht të premteve për të mbërritur në shtunën paradite dhe orëve të mesditës flasin për dominim të shtetasve shqiptarë që kanë marrë edhe familjet e tyre dhe janë larguar nga vendi i tyre. Autoritetet britanike bënë me dije se çdo muaj shifrat e shqiptarëve që kërkojnë azil i kalojnë 1500 persona, ndërkohë që ditëve të fundit u tha se ulja e çmimit krijoi një dyndje të shqiptarëve që ikin në drejtim të Britanisë.
Mediat atje tregojnë se janë të paktën 9 mijë shqiptarë që kanë hyrë kohëve të fundit në Britaninë e Madhe. Ata i kërkuan ministrit të Brendshëm që të niste në drejtim të Doverit një grup efektivësh policie për të funksionuar si skuadër e përbashkët me atë angleze për të pritur në breg shqiptarët që ikin për një jetë më të mirë atje. Aty pretendohet se do të bëhet edhe verifikimi i tyre dhe të gjithë emigruesit shqiptarë që rezultojnë me precedentë kriminal duhet të kthehen në Shqipëri dhe madje edhe të dënohen me 4 vite burg.