Ka përfunduar në Bruksel takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit tha se negociatat me delegacionon e Prishtinës nuk ishin aspak të suksesshme.
”Ata vetëm na kërkuan të themi kur do ta njohim pavarësinë e Kosovës. Shqiptarët nuk erdhën në dialog, por vetëm për të provokuar reagimin e Beogradit”, tha Vuçiç.
Ndërkohë është arritur dhe një dakordësi, pasi sipas Presidentit serb dialogu do të vijojë deri në fund të korrikut.
“Nuk kam marrë pjesë në një takim si ky. Unë u përgjigja ashpër, por nuk e kalova kufirin. Kurti erdhi që të mos binte dakord për asgjë. Kjo ishte një përpjekje për t’i dhënë fund dialogut.’- vazhdoi presidenti Vuçiç.
Po ashtu ai thekson se edhe në këtë takim Kurti ka kërcënuar se do e padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë.
Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Takimi i fundit ndërmjet krerëve shtetërorë të këtyre vendeve është zhvilluar në shtator të vitit të kaluar. Prej atëherë, nuk është mbajtur takim i nivelit të lartë.