Ditën e sotme janë zbardhur detaje të reja nga grupi hetimor lidhur me ngjarjen e ndodhur më 19 gusht në Komunën e Parisit në Tiranë, ku efektivi i policisë Erion Goxharra qëlloi me armë Lorenc Kostën.
Shkak i konfliktit mes tyre është bërë zbulimi i marrëdhënies intime të gruas së efektivit me 45-vjeçarin. Bashkëshortja e efektivit, më të cilin ka dy fëmijë, është njohur në vendin e punës me Kostën, aty ku sipas dyshimeve të efektivit kanë nisur një romancë jashtëmartesore.
Historia është zbuluar rreth 4 muaj më parë nga efektivi Erion Goxharra, ku kanë pasur edhe debate në familje, për të shpëtuar marrëdhënien.
Efektivi pas ngjarjes telefonoi djalin ku e njoftoi se cfarë kishte bërë më pas i kërkoi që t’i dilte për ta takuar. Bashkë në taksi shkuan në zonën e Freskut.
“Më ka marrë babi në telefon dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë. Pas kësaj telefonate më ka marrë sërish dhe më ka thënë që të dilja te “Rrethi i Shkozës” pasi do të shkonim në zonën e “Freskut”.
Unë kam dalë në vendin ku më tha ta prisja. Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë, ne kemi marrë një taksi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut. Sapo kemi mbërritur te zona e Thesarit të Shtetit, kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste kurse mua më tha që ta ndiqja.
Menjëherë në këtë moment sapo kemi zbritur na janë afruar 2 punonjës policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babain tim dhe ai sapo i pa u largua me vrap mes pallateve duke u thënë këtyre personave që më mirë vras veten sesa të kalbem në burg” ka deklaruar djali në polici.
Për kapjen e tij janë angazhuar dhe forcat RENEA si dhe është vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë Eurosh për këdo që jep informacion për vendndodhjen e tij.