Gjyqtari i Vlorës, Albert Spiro nuk e kaloi shkallën e parë të vettingut. Këtë të hënë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me trupë gjykuese të përbërë nga Brunilda Bekteshi, Pamela Qirko dhe Etleda Çiftja vendosën shkarkimin e tij nga detyra. Spiro u përball me barrë prove në kriterin e pasurisë, dhe sipas relatimit, pasja e dy kontratave me vlera të ndryshme për shitjen e një apartamenti në Gjirokastër krijonte dyshime për shmangie të tatimit, ndërsa linte pa burime të ligjshme subjektin për blerjen e një apartamenti në Vlorë. Ndërkohë, KPK tha se nuk kishte përfshirë në analizë financiare edhe një hua prej 50 mijë euro e përdorur për blerjen e një apartamenti në Tiranë, që bashkë me mungesa të tjera krijonin një bilanc negativ të madh për Spiron.
Në qershor të këtij viti, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi përmendi emrin e gjyqtarit në lidhje me shqyrtimin e dosjes së Edison Begajt të cilit iu bë atentat në derë të shtëpisë. Sipas Çuçit, gjyqtari ka favorizuar në shqyrtimin e rastit të Begajt. Kyi fundit u arrestua gjatë një operacioni të RENEA-s, ndërsa u la nga gjykata në “arrest shtëpie”. Një përgjigje për këtë akuzë, Gjykata e Vlorës thekson se kërkesa erdhi nga Prokuroria, ndërsa duke iu referuar fjalës së ministrit, thotë se deklarata të tilla nuk i shërbejnë imazhit të institucionit.
Skeda e pasurisë së Gjyqtarit
Albert Spiro e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si gjyqtar në Gjykatën e Tepelenës. Prej vitit 2006, Spiro e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit të Vlorës.
Në qershor të këtij viti, Spiro u akuzua publikisht nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi për lirimin nga qelia të Edison Begajt –një person me precedentë të mëparshëm penale. Gjykata e Vlorës u përgjigj se masa e “arrestit shtëpiak” ishte kërkuar nga prokurori.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari Albert Spiro nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018.
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2003, gjyqtari Albert Spiro deklaronte pasuri me vlerë 3.2 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare është 5-fishuar, duke kapur vlerën e 18.4 milionë lekëve.
Spiro zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 16 milionë lekë, kursime të akumuluara në cash prej 1.9 milionë lekësh, automjet me vlerë 534 mijë lekë si letra me vlerë të deklaruara në vitin 2003 në vlerën e 45 mijë lekëve.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 28.6 milionë lekë, nga të cilat 58% kanë si burim pagën e tij si gjyqtar, gati 28% nga pagat e familjarëve dhe 12% nga shitja e pasurisë së patundshme.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 15 vite të deklarimit, dy prej deklaratave rezultuan me probleme.
Subjekti Albert Spiro rezulton me mungesë burimesh për shtesën e aseteve në dy vite të deklarimit: në vitin 2011 në shumën 151,671 lekë dhe në vitin 2014 në shumën 354,827 lekë- pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet vjetore për konsum familjar. Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” transaksionet me pasuritë e patundshme si dhe një huamarrje në vlerën e 50 mijë eurove.
Më konkretisht në vitin 2003, gjyqtari Albert Spiro deklaron një apartament banimi në Gjirokastër të blerë në vitin 1997 në vlerën e 26,000 USD me burim punën në emigrim. Apartamenti është shitur në vitin 2008 në vlerën e 6,200,000 lekëve, para të cilat kanë shërbyer si burim për blerjen e dy apartamenteve me vlerë 6,500,000 lekë.
Gjatë periudhës deklaruese, subjekti ka histori me huadhënie dhe huamarrje, konkretisht në deklarimin e vitit 2004 deklaron që ka dhënë hua shumën 500,000 lekë, ndërsa në vitin 2011 ka marrë hua shumën 50,000 euro për blerjen e një banese +garazhi në komunën Farkë të Tiranës.
/Priza.al/