35 vjeçarja Shqiptare që jeton në Australi, është nisur sot në orën 7 të mëngjesit nga Otrantua për të mbërritur në Vlorë. E para femër që guxon në këtë iniciativë!
Edhe pse me profesion avokate e suksesshme në Australi, Eva Buzo ka zgjedhur të bëjë histori me pasionin e saj duke notuar nga perëndimi në lindje, për të mbërritur tokën e Shqiponjave dhe në veçanti plazhin e Vlorës, duke u nisur nga Otranto.
Në një intervistë për mediat shqiptare, Buzo, e cila do të jetë gruaja e parë që ka vendosur të kalojë me not kanalin e Otrantos, ka theksuar se “janë 91 kilometra dhe është hera e parë që ndërmerret një iniciativë e tillë dhe është certifikuar nga maratona ndërkombëtare”.
“Dëshira më e madhe e imja është që të mbërrijë në bregdetin shqiptar dhe të pritem me përshëndetje nga familjarët që jetojnë në Shqipëri”, është shprehur ajo.
Rekordi i saj është 25 orë dhe 90 minuta në korrikun e kaluar në Gjeneve në një liqen.
Buzo ka lindur në Australi dhe lidhja që ka me Shqipërinë është shumë e fortë edhe pse nuk flet shqip. Ajo është angazhuar masivisht me problematika sociale, në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ka përvojë pune në Afrikën Lindore, Azinë Jugore dhe Australi, për organizata të ndryshme duke përfshirë World Vision dhe Save the Children.