Pasi ka përfunduar raundi i parë i regjistrimeve me 15 mijë maturantë, ka nisur në 19 shtator deri në 21 shtator raundi i dytë për të gjithë të rinjtë që nuk fituan degët që duan apo ata maturantë që përfunduan me sukses provimet e vjeshtës.
Ndërkohë që në raundin e parë Universiteti i Tiranës, i mjekësisë dhe universiteti bujqësor janë më të kërkuarit. Në Universitetin e Tiranës nga mbi 58 mijë aplikime janë regjistruar 3258 maturantë deri më tani, ndërsa janë ende 1874 kuota të lira. Por cilat degë janë më të zgjedhurat dhe ku janë mundësitë më të pakta për të aplikuar në raundin e dytë?
“Më të preferuarat që janë zgjedhur në masën 94% bëhet fjalë për fakultetin e drejtësisë, të ekonomisë dhe programe specifike në fakultetin e shkencave të natyrës si teknologji informacioni apo në fakultetin e shkencave sociale dega e psikologjisë,”- tha rektori Universitetit të Tiranës.
Por, maturantët nuk po shfaqin më interes për të studiuar në disa degë shkencore si fizikë, biologji, kimi apo filozofi me profil edhe për mësuesi, duke pësuar një rënie mesatare të regjistrimeve nga vjet me 20%.
/Marrë nga Top Channel/