Gazetari investigativ Artan Hoxha ka zbuluar detaje lidhur me aksionin e zhvilluar nga forcat RENEA në një nga bizneset e Suel Çelës, në tregun AgroUshqimor të qytetit. Në një intervistë të dhënë për “Euronews”, Artan Hoxha tha se rojet e Çelës nuk kanë dashur që të lënë pa një urdhërkontrolli forcat RENEA brenda tregut, gjë që ka shkaktuar një përplasje fizike mes tyre. Ngjarje kjo që nuk është raportuar nga Policia e Shtetit. Pasi kanë hyrë në treg, Hoxha tregoi se është kërkuar më pajisje speciale një tunel nga ku mund të ishte larguar Suel Çela. E gjitha sipas tij, ka prapaskena të politikës.
“Ka pasur një debat të fortë me personat që merreshin me sigurinë. Ka pasur edhe një konfrontim fizik. Sepse që të hysh në treg, kanë kërkuar një dokument nga Gjykata dhe Prokuroria, ndaj është hyrë me forcë. Për 6 orë, RENEA ka qenë e instaluar aty, është menduar se mund të ketë ndonjë tunel, ndonjë zgavër të fshehur diku, është kërkuar edhe me pajisje speciale për t’u bindur që Suel Çela nuk ishte aty. Nuk u gjet edhe njëherë Suel Çela. Por ka një domethënie tjetër. Opozita nuk e përmend më Suel Çelës. Përkundrazi nga maxhoranca aludohet se Çela po mbështet opozitën. Ky veprim duket sikur i çon një mesazh që vërtetë je në kërkim, por nuk je arrestuar dhe nëse na vihesh kundër…Kjo që iu bë këtë synonte. Fakti që nuk e përmendin më, do të thotë që Çela nuk është më mbështetës i maxhorancës. Maxhoranca kërkon që ai mos të mbështesë as opozitën,”-tha ndër të tjera, Artan Hoxha.