Një shtetas 23-vjeçar është arrestuar ditën e sotme, pasi është kapur me një armë zjarri tip pistoletë në makinë. Burimet bëjnë me dije se i riu është vëllai i deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hoti.
Njoftimi i policisë:
Qarkullonte me automjet, i armatosur, vihet në pranga 23-vjeçari.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative për një shtetas që qarkullonte i armatosur në Selitë, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Mesnata”.
Si rezultat i tij u arrestua në flagrancë shtetasi M. H., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Në Selitë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin M. H., dhe gjatë kontrollit të automjetit, gjetën një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.