Kryeministri Edi Rama së bashku me kryetarin Bashkisë Erion Veliaj kanë shkuar ditën e sotme në Baldushk për të shpërndarë çelësat e banesave të rindërtuara për familjet e prekura nga tërmeti.
Rama është shprehur se bonusi i qeras është paguar në mënyrë korrekte nga shteti dhe secili do të marr atë që i takon, ndërsa shtëpinë do e marrin kundrejt një kredie të butë
Edi Rama: Ditë e bukur për ju, më saktë një mbrëmje e bukur, kënaqësi që jam këtu. Po bëjmë përmbyllje të një pune jo të lehtë, janë bërë investime të mëdha, është vërtetë kënaqësi që përpara një viti të ri në zonën e Baldushkut përmbyllet procesi i rindërtimit. Familjet e prekura do ta festojnë në shtëpitë e tyre.
Kjo tregon atë që ne jemi zotuar, të gjithë ata që humbën shtëpinë në tragjedinë e tërmetit do të rimarrin shtëpi më të forta dhe më të bukura, dhe më të mëdha. Nuk do i kenë asnjë borxh shtetit. Ky është projekti i parë i rindërtimit në Europë. Askund tjetër nuk ka ndodhur si këtu, është i pari program rindërtimi ku qytetarëve që u jepet shtëpia nuk u vendoset asnjë barrë financiare, nuk u thuhet shtëpinë do ta merrni por do paguani një kredi të butë. Këtu s’ka kredi as të fortë as të butë, shtëpitë janë tuajat, janë pronë e patundshme e familjeve, mund të bëjnë çfarë të duan me to. Realiteti i fakteve rrëzon realitetin e gjysëm të vërtetave, ky popull ushqehet nga mëngjesi deri në darkë, ekran më ekran. E tmerrshme, çdo ditë, sepse patjetër që gënjeshtra ka fuqi tërheqëse, është më e lehtë se e vërteta për t’u treguar e për të krijuar audiencë. Në fund ka rëndësi se kush është e vërteta, e vërteta e rindërtimit triumfon çdo ditë. Ja ku janë shtëpitë, kështu do triumfojë deri kur të jetë ndërtuar shtëpia e fundit.
Më vjen keq që jemi me vonesë në Kombinat, nuk është rezultat i mungesës së vëmendjes, por i pengesave të panumërta që na kanë dalë përpara. Se tjetër është të ndërtosh një lagje të re në Tiranë ku ka probleme partish dhe ndryshe është ta ndërtosh lagjen këtu.