Avokati i dhunuar sot në Sarandë, Marjel Mejdi është shprehur se nuk kishte konflikte me asnjë. Ai ka treguar si ka ndodhur ngjarja, duke thënë se i kanë zënë pritë me një makinë të zezë në dalje të një lokali në Portin e Sarandës dhe e kanë sulmuar me shkopa në kokë e trup.
“Isha te lokali i portit, piva kafe me një shokun tim. Mora makinën për të dalë nga porti, m’u te dera, sa del, një Porsche e zezë më kishte zënë rrugën. Prita në makinë, që ta hapte rrugën. Ndërkohë, fraksion sekondi m’u sulën disa persona me hekura, shkopinj, sende të forta.
Nuk i kisha parë asnjëherë këta persona. Më sulmuan, më gjuajtën në makinë njëherë. Isha bashkë me një shok, u munduam të iknim që të shpëtonim, se ishin shumë veta. Nuk kishim çfarë të bënim.
Më ndoqën nga mbrapa nja 30-40 metra. Më erdhi njëri, se unë ika në një moment, por ai më gjuajti në kokë dhe rashë në shesh. Nuk pushonin së gjuajturi. Me hekura, me shkopinj, nuk pushonin së gjuajturi.
Unë qëndrova një orë brenda në lokal dhe nuk besoj të kenë qenë brenda ata, pasi aty ka policë, mund të më kenë ruajtur jashtë”,- është shprehur avokati për mediat.
Pyetje: Çfarë motivi mund të kenë pasur, që të kanë gjuajtur?
Avokati: Unë personalisht nuk kam asnjë konflikt, por xhaxhai im është në konflikt gjyqësor me ca nga Mamurrasi, që quhen Fufi, dhe një Aleks Rexha nga Gjirokastra, të cilët pretendojnë një pronë që xhaxhai imë e ka me hipotekë. Jemi në proces gjyqësor, xhaxhai i ka fituar dy masat e sigurisë në Shkallë të Parë dhe në Sarandë dhe është në Gjyq Themeli, po shqyrtohet.
Është rast i përsëritur, se përveç meje që më masakruan sot, kanë masakruar dhe para dy muajsh xhaxhain tim, Ilir Mejdini, njësoj, me hekura e me gjëra, 10 veta. Kanë masakruar dhe kushëririn tim, i kanë carë kokën, me qepje e gjëra. Më kanë ardhur mua në Tiranë, poshtë shtëpisë, të më gjuajnë. Kam lajmëruar Ardi Veliun në telefon, sepse unë kam qenë ish-drejtor në Ministrinë e Brendshme. Është marrë masë, i kanë marrë, i kanë kapur, i kanë lëshuar prapë.
Pyetje: Po sot pse e quajtën konflikt të çastit?
Avokati: Nuk e di fare. Unë s’kam asnjë konflikt me asnjë, është një sulm i egër barbar, i pamëshirshëm, që të na bëjnë presion, që të heqë dorë xhaxhai im nga prona. Unë kam nja 3-4 ditë që kam ardhur në Sarandë. Erdha se kishim gjyq sot, ndodhi pas gjyqit ky muhabet. Gjyqi vazhdon, është në avantazhin tonë, sepse ne kemi fituar masat, jemi pronarë.
Si duket njerëz të tillë, primitivë, nuk janë mësuar të zbatojnë rregullat e shtetit. Këtu kanë zbarkuar bandat, këtu ka vetëm banda, që vijnë e gjuajnë. Nuk është rasti im i parë, në Sarandë është situata shumë e rëndë nga bandat, nga njerëz që gjuajnë. Nuk jam i vetmi rast unë. Uroj që shteti të funksionojë dhe t’i vërë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë bërë këtë masakër ndaj meje, ndaj xhaxhait tim dhe ndaj kushëririt tim, Albano Kuçi.
/Burimi: BW/ Priza.al/