Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në ceremoninë e dhënies së ‘Medaljes së Artë’ për maturantët ekselentë. Kryeministri Rama vlerësoi mundin e nxënëseve për rezultatet e arritura dhe falenderoi prindërit e tyre për mbështetjen që ato u kanë dhënë. Kryeministri Rama tha se ka pasur rastin që ka shkuar edhe në familje me vështirësi ekonomike, ku nxënësit kanë shkëlqyer me mësime.
Kryeministri Edi Rama u solli shembullin e jetës së Ermonela Jahos dhe Leo Mesit nxënësve që kanë përfunduar gjimnazin me 10 absolute në ceremoninë e dhënies “Medalja e Artë”, për t’i inkurajuar ata që nëse kanë një ëndërr, duhet të sakrifikojnë shumë sepse asgjë nuk është e pamundur.
“Janë ëndrrat e mëdha që kërkojnë sakrifica të jashtëzakonshme dhe nëse do të kërkoni pak më shumë te jeta e tyre do shikoni që e kanë paguar suksesin me një përkushtim që është identifikuar me sakrificën fizike, stërvitje që do kishin lodhur 99.99% të të tjerëve që vetëm të mendonin që mund ti bënin, me rezistencë psikologjike për të mos u dorëzuar përballë skepticizmit, rezervave deri përqeshjeve të të tjerëve kur duhet të kalonin nga një stacion në tjetrin dhe me bindjen që ishte e drejta e tyre të realizonin ëndrrën e tyre.
Mos kini asnjë frikë nga ëndrrat tuaja, sa më të mëdha të jenë aq më shumë sakrifica kërkojnë e nëse jeni në gjendje ti bëni sakrificat, kini besim që do ia dilni e nga maja ku do arrini, do mund të shikoni qetësisht të gjithë ata që ndërkohë ju kishin thënë që kjo nuk bëhet. Hegeli thotë “nuk ka asgjë që nuk bëhet ka vetëm njerëz që nuk arrijnë ta bëjnë”, u shpreh kryeministri.
“E kam sjellë herë pas here shembullin e Ermonela Jahos që besoj e keni dëgjuar dhe Leo Mesit që me siguri e keni dëgjuar se janë dy prototipa të të njëjtit shembull për guximin për të parë një ëndërr të jashtëzakonshme që të tjerët mund ti bëjë të qeshin apo të afërmit mund ti bëjë të shqetësohen për shëndetin mendor të ëndërrimtarëve.
Leo Mesi ishte një fëmijë që kishte një problem të madh me shëndetin e për shkak të një deformimi nuk zgjatej. Prindërit të shqetësuar për shëndetin e tij ndërkohë që ai thoshte që i vogël që unë do luaj në Camp Nou.
Natyrisht që ajo që dukej si ëndrra e pabazuar e një fëmije ishte ëndrra e një fëmije që deri në fund e ndoqi ëndrrën dhe e dini si vazhdoi historia.
Ermonela Jaho ishte një vajzë që vinte nga një familje shumë e varfër dhe shkonte në Liceun Artistik ku nuk ishte e dalluar posacërisht mes grupit që studionin për kanto e thoshte unë do këndoj në La Scala dhe arriti të këndojë në gjithë teatrot më të mëdhenj të muzikës lirike, e vazhdon. Ka arritur të kapërcejë një tjetër prag, pragun e të qenit në rolet kryesore në teatrot kryesore përtej rekordit të moshës për një këngëtare”, tha Rama.
/Priza.al/