Vatrat e zjarrit të izoluara apo të tjera aktive kryesisht në malësitë e Shqipërisë Jugore e Veriore vazhdojnë të angazhojnë qindra efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës dhe komunitetet lokale për shuarjen e tyre dhe shmangien e mbërritjes së tyre në zonat e banuara.
Zjarret në Shqipëri kanë hyrë në javën e tyre të dytë, të shkaktuara nga temperaturat afrikane por dhe nga zjarrvënës të qëllimshëm, 6 prej të cilëve janë arrestuar nga policia.
Në deklaratën e fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, të publikuar afër mesnatës, (05.08) bëhet me dije se në Gadishullin e Karaburunit vatra e rrezikshme e zjarrit është izoluar.
Një numër i konsiderueshëm forcash të armatosura dhe mjetesh u angazhuan në vatrën e re të zjarrit në malësitë pranë lumit të Vlorës dhe arritën të frenojnë përhapjen e flakëve, nga erërat e shpejta, duke shmangur një katastrofë të mundshme, nëse zjarri do të arrinte në zonat e banuara dhe Parkun Kombëtar të Llogorasë.
Po ashtu, u parandalua edhe katastrofa në zonën e Lumit të Vlorës. “Ndërhyrja masive e trupave të ushtrisë nga toka dhe helikopterët nga ajri, neutralizuan rrezikun e jetës dhe banesave atje”,- bëri me dije në orët e vona të mbrëmjes, të enjten, (05.08) Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Vatra të reja zjarri në malet e Kukësit
Lufta kundër zjarreve të premten është përqendruar, (06.08) në vatrën e re të zjarrit, në malësitë e Kukësit, (Shqipëria Veri-Lindore). Ministria e Mbrojtjes bën me dije që zjarri ka përfshirë Malin e Runës (1875 metra i lartë) dhe ka arritur majën e tij.
Trupat e ushtrisë dhe zjarrfikësit synojnë ta mbajnë zjarrin nën kontroll dhe pengojnë mbërritjen e tij në zonat e banuara. Kurse vatra e zjarrit në Malin e Shëngjinit, në Lezhë është neutralizuar plotësisht.
Në Shkodër, Pukë, Mallakastër, Korçë, Delvinë dhe Gjirokastër vatrat e zjarrit janë ende aktive por me një fuqi përhapjeje më të ulët dhe nën kontroll.
Zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha ende të pallogaritura. Deri tani viktima e tyre e vetme, është 64-vjeçari Andrea Haxhiaj, që u gjet pa jetë, i asfiksuar në vreshtin pranë banesës së tij, në fshatin “Asim Zeneli”, në krahinën e Lunxhërisë, në Gjirokastër.
Pritet që të premten (06.08) të mbërrijnë nga BE helikopterët që Holanda dhe Çekia, do të sjellin për shuarjen e zjarreve në Shqipëri, në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE.
/Burimi: DW/