Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë mbi ligjin e targave ka bërë jehonë dhe në mediat e huaja.
Prezenca e shtuar e policisë vjen pas disa incidenteve në ditët e fundit dhe kjo ka ndezur sërish konfliktet midis Beogradit dhe Prishtinës.
Mediat e huaja shkruajnë se rritja e tensioneve, u nis gjithashtu edhe nga thirrja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për zgjedhje të parakohshme në katër komuna në Veri.
Kujtojmë se serbët braktisën institucionet në veri të Kosovës, me qëllim refuzimin e autoritetit të kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij. Ndërkohë një oficer mbeti i plagosur nga persona të armatosur, ngjarje kjo e ndodhur në Kosovë. Ndërkohë autoritetet kanë raportuar edhe për shpërthime dhe të shtëna armësh gjatë ditës së martë.
Sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla, ky dhe kërcënime të tjera për sigurinë e qytetarëve dhe punonjësve të policisë çuan në rritjen e vendosjes së policisë në veri.
Ndër të tjera Euronews shkruan se Beogradi synon të sjellë ushtrinë e tij dhe se për këtë i duhet leje e NATO-s.
Kthimi i trupave të Beogradit në ish-krahinën serbe mund të rrisë në mënyrë dramatike tensionet në Ballkan.
Zyrtarët serbë pretendojnë se një rezolutë e OKB-së e miratuar për të lejuar praninë e NATO-s në vend gjithashtu lejon rreth 1,000 trupa serbe të kthehen në Kosovë.