Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri të ditur sot se sasia e kokainës e cila ishte përzier në 24 tonë pleh kimik, i sekuestruar gjatë një operacioni të zhvilluar mbrëmë, mund të arrijë në 430 kilogramë. Vlera e saj në treg, sipas prokurorëve shkon në 40 milion euro.
Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço zbuloi detaje të reja lidhur me këtë operacion duke theksuar se dy kolumbianët, njëri i arrestuar dhe njëri në kërkim, kishin rolin e kimistëve të cilët do të shkriftonin drogën.
“Kishte dy kimistë të ardhur nga Kolumbia, pasi do të shkriftonin kokainën dhe do ndanin plehun kimik. 473 kg kokainë e përzier me pleh kimik, se nuk kalon në skaner. Kemi rolin e dy kimistëve, një i arrestuar dhe një i larguar dhe është në kërkim. Kimistët shtohen se kanë njohur për kokainën. Kjo tregon që krimi i organizuar po mendon për mënyra të sofistikuara për të kaluar mallin. Ka dyshime se në portin e Durrësit ka materiale që nuk kontrollohen me skanerin. Ka pasur sinjale se eksponentë të ndryshëm mund të jenë përfshirë për transportin e këtyre lëndëve”, tha eksperti.
Sipas Karamuços, kokaina mund të përzihet me gipse, plehra kimik, pllaka, letra për shtroje dyshemesh, shishe vere apo dhe qymyr.
“Në banane nuk ngurtësohen dot. Me gipse bëhen shumë mirë. Se janë kthyer në vepra arti kemi shembullin e Italisë që kanë hyrë dhe më pas është zbuluar kokaina. Me plehra kimik. Me pllaka, janë futur këtu. Në letra dhe në shtroje që po të vihen në solucione shkrihen dhe më pas del kokaina. Në shishe vere. Edhe me qymyrin. Këta i heqin edhe erën nuk i gjen dot as qeni. Këto kamuflime bëhen për të kaluar lëndën dhe më pas përpunohet këtu”, deklaroi Karamuço.