Vllezërit William e Harry u panë bashkë me bashkëshortet e tyre përkatësisht Kate dhe Meghan, pas shumë kohësh në publik. Të veshur me të zeza, ata kanë përshëndetur qytetarët e Britanisë së Madhe të mbledhur jashtë Kështjellës Windsor, pas vdekjes së Mbretëreshës Elisabeth II.
Një ndër momentet pikante ishte kur të katërt po përshëndesnin britanikët, ndërsa njëra prej qytetareve refuzoi t’i jepte dorën Meghan Markle, Dukeshës së Sussex. Fillimisht dukesha i dha dorën një vajze në turmë, ndërsa e reja më pas i tha: “A mund të të përqafoj?”, teksa Meghan tundi kokën, përpara se të përkulej dhe ta përqafonte. Momenti emocionues u fotografua nga anëtarët e tjerë në turmë.
Por ajo që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, ishte veprimi i një gruaje e cila ka refuzuar t’i japë dorën Meghan-it, ndërsa dukesha vijoi përshëndetjen me persona të tjerë.
Ribashkimi mes William, Kate, Harry dhe Meghan mund të quhet prekës, pasi vitet e fundit marrëdhëniet midis Dukës e Dukeshës së Sussex dhe anëtarëve të familjes mbretërore, janë tensionuar.
Përpara vdekjes së mbretëreshës, e cila ndodhi ndërsa Harry dhe Meghan ishin në Mbretërinë e Bashkuar për një event bamirësie, çifti ishte për herë të fundit në vend në qershor në festimin e Jubileut Platinum të Mbretëreshës Elizabeth, por nuk kishte asnjë dalje publike mes çiftit dhe William e Kate e pjesës tjetër të anëtarëve të ngushtë të familjes.
William dhe Kate janë zhvendosur kohët e fundit në Windsor, me fëmijët e tyre Princin George, 9 vjeç, Princeshën Charlotte, 7 vjeç dhe me Princin Louis, 4 vjeç. Kurse Duka dhe Dukesha e Sussex jetojnë në SHBA, pasi u larguan nga Mbretëria e Bashkuar në muajin mars të vitit 2020.