Meloni sot në Shëngjin/ Reuters: Përfitimet, dyshimet dhe prapaskenat

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të vizitojë sot në Shqipëri zonat ku qeveria e saj planifikon të ndërtojë kamp pritjeje për të strehuar mijëra emigrantë.

Në përpjekje për të frenuar fluksin e emigrantëve në Itali, Meloni nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë vitin e kaluar për të dërguar disa azilkërkues në vendin ballkanik dhe për të përpunuar kërkesat për azil atje, shkruan Reuters.

ÇFARË PARASHIKOHET NË MARRËVESHJE?

Marrëveshja, e rënë dakord për pesë vitet e para, parashikon zbarkimin e 36,000 emigrantëve në vit në portin shqiptar të Shëngjinit, rreth 75 km (45 milje) në jug të kryeqytetit të vendit, Tiranës. Rastet e tyre do të trajtohen në një qendër që po ndërtohet në një bazë ajrore aty pranë në Gjadër, e cila mund të mbajë 3000 njerëz.

Të dy objektet do të kenë personel italian dhe do të funksionojnë nën juridiksionin italian. Megjithatë, siguria e jashtme do të bëhet nga rojet shqiptare.

A MUND TË DËRGOHET NDONJE EMIGRANT TJETR NË SHQIPËRI?

Jo. Vetëm ata emigrantë që vijnë nga vende që Italia i konsideron të sigurta do të mund të përpunohen në Shqipëri. Aktualisht ka 21 vende të tilla, të rritura së fundmi nga 15, duke përfshirë Bangladeshin, Egjiptin, Bregun e Fildishtë dhe Tunizinë. Vitin e kaluar, 56,588 emigrantë mbërritën në Itali nga këto katër vende.

Meloni tha vitin e kaluar se gratë shtatzëna, të miturit dhe personat e tjerë vulnerabël nuk do të dërgoheshin në Shqipëri.

SA DO TË KUSHTOJË?

Qeveria italiane nuk ka dhënë ende një shifër. Duke mbledhur zërat e shpenzimeve të planifikuara nga një raport i përgatitur nga parlamenti dhe shërbimi i buxhetit të shtetit, mund të jetë 610 milionë euro (663 milionë dollarë) midis 2024 dhe 2028. Corriere della Sera, e përditshmja italiane më e lexuar, vlerësoi se do të kushtonte 653 milionë euro.

SI DO TË FUNKSIONOJË?

Ideja është që emigrantët e përzgjedhur të dërgohen direkt në Shqipëri pasi të merren në det. Meloni ka thënë se zyrtarët do të përpiqen të shqyrtojnë kërkesat për azil brenda 28 ditëve, shumë më shpejt se muajt që duhen aktualisht në Itali.

Shumica dërrmuese e kërkesave pritet të refuzohen, sepse vendet nga vijnë emigrantët konsiderohen të sigurta, gjë që kufizon automatikisht hapësirën për dhënien e azilit. Atyre që u refuzohen kërkesat do të dërgohen gjithashtu në Itali dhe do të vendosen në qendra mbajtjeje deri në riatdhesim.

Megjithatë, kritikët thonë se ky proces është shumë i ngadalshëm, sepse shumë vende refuzojnë të marrin përsëri qytetarët ose vendosin një numër të kufizuar për të kthyerit. Shumë emigrantë që u shërbyen me urdhër dëbimi zhduken nga qendrat dhe shpërndahen nëpër Evropë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *