Një javë para fillimit të sezonit është vendosur më në fund se kush do të transmetojë ndeshjet e kampionatit shqiptar, e cila do të jetë kompania “Oversport”.
Bëhet fjalë jo vetëm për Kategorinë Superiore, por edhe për Kupën, Superkupën dhe ndeshje të Kategorisë së Parë. Ka qenë kompania “Oversport” e cila nëpërmjet një deklarate zyrtare ka njoftuar opinionin publik se i ka fituar ajo të drejtat e transmetimit për tri vitet e ardhshme.
Deklarata e plotë:
Oversport bën me dije se do të jetë partneri dhe transmetuesi zyrtar i “Abissnet Superiore” pas nënshkrimit të marrëveshjes me FSHF-në. Gjithashtu në mënyrë ekskluzive sigurohet edhe Kategoria e Parë, Kupa dhe Superkupa e Shqipërisë.
Oversport dhe FSHF kanë vendosur kështu të hedhin një hap cilësor në përmirësimin e futbollit shqiptar në të gjitha aspektet, atë ekonomik dhe teknologjik. Nga ky bashkëpunim skuadrat e Superiores sigurojnë më shumë të ardhura nga e drejta televizive pasi oferta e Oversport ishte oferta më e mirë në garën për të drejtat. Publiku në Shqipëri dhe Kosovë do të ketë fatin të prekë nga afër risitë e Oversport, që në bashkëpunim me partnerin teknologjik Tibo do të sjellë opsionet “catch-up” dhe regji “Live!” individuale nga telefonët dhe televizorët e tyre.
Prej një viti, Oversport transmeton në mënyrë ekskluzive kampionatin më të dashur për shqiptarët, Serinë A (për Shqipërinë dhe Kosovën). Si kurrë më parë ndeshjet u komentuan dhe u transmetuan “Live!” nga stadiumet mitike italiane “San Siro”, “Juventus Stadium”, “Olimpico” etj, me intervista dhe emisionet të dedikuara. Këtë eksperiencë, Oversport do ta pasurojë edhe në stadiumet shqiptare për të sjellë te publiku emocionet e tre sezoneve të jashtëzakonshme të futbollit vendas. Oversport dhe Tibo janë gati të përcjellin derbet historike dhe ndeshjet madhështore nga çdo qytet i Shqipërisë.
Oversport dhe Tibo janë gati për t’i shtuar magjinë futbollit shqiptar, që pas dy dekadash ndërron ekran dhe qasje.