Ngjarja e rëndë e ndodhur në 24 Mars në Lezhë, e cila u kallëzua fillimisht si aksident rrugore, ka marrë një tjetër kthesë.
20-vjeçari Anteo Fizi kanosi me armë zjarri në bashkëpunim me 2 shokë të tij, një 23-vjeçar, dhe gjatë largimit me shpejtësi, u përplas me një automjet tjetër. Mësohet se i riu është arrestuar dhe shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tij.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në dyshimet e krijuara mbi një rast të ndodhur më datë 24.03.2023, në aksin rrugor “Tiranë-Lezhë”, në Ishull Lezhë, të raportuar fillimisht si aksident rrugor, kanë kryer hetime të thelluara, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë në të.
Nga hetimet e thelluara ka rezultuar se shtetasi Anteo Fizi, në bashkëpunim me 2 shokë të tij, shtetasit Krisjan Gjergji dhe David Doda (të dy të shpallur në kërkim), kanë kanosur me armë zjarri, poshtë mbikalimit të Ishull Lezhës, shtetasin Ednant Lulaj. Gjatë largimit me shpejtësi, automjeti me të cilin udhëtonin shtetasit Anteo Fizi, Krisjan Gjergji dhe David Doda, është përplasur në mbikalimin e Ishull Lezhës, me automjetin me drejtues shtetasin M. K.
Nga veprimet e para, ky rast është trajtuar fillimisht si aksident rrugor, por si rezultat i informacioneve të grumbulluara në vendngjarje, janë thelluar hetimet dhe si rezultat i tyre, është zbardhur dinamika e këtij rasti.
Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin Anteo Fizi, 20 vjeç, banues në Lezhë, si dhe shpallën në kërkim shtetasit Krisjan Gjergji, 24 vjeç, banues në Rrilë dhe David Doda, 23 vjeç, banues në Barbullojë.
Gjithashtu, për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi Ednant Lulaj, 23 vjeç, banues në Tale, i cili nuk ka kallëzuar se është kanosur me armë zjarri, nga 3 shtetasit e lartpërmendur.
Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.