Besimtarët e krishterë dhe protestantë, kremtojnë sot Pashkët, momenti më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera të krishtera që shënon ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit.
Mbrëmë në të gjitha kishat katolike të vendit u mbajt mesha e shenjtë e vigjiljes të Pashkëve, me ritet përkatëse. Besimtarë të shumtë mbushën Katedralen në kryeqytet për të ndjekur meshën e shenjtë, e cila drejtohet nga kreu i Kishës Katolike në Shqipëri Imzot Arjan Dodaj.
Në fjalën e tij para besimtarëve Imzot Arjan Dodaj tha se mesazhi i Krishtit të ringjallur vjen në një moment kur bota ka më shumë nevojë.
“Ringjallja e Krishtit nuk është diku larg, por në zemrat e secilit prej jush këtu që në këtë natë keni marrë shpirtin e shenjtë, jeni ushqyer me Krishtin e ringjallur. I ringjalluri do të vijojë përmes jush në rrugët e qyteti tonë, jeni të vetëdijshëm se Krishti ka flatra, por ju lirojeni. Mos e ngurtësoni, Lironi flatrat e mëshirës dhe dashurisë që don të ketë për të arritur në familje dhe në qytete tona”, ka thënë ai.