Në mesazhin e tij Urbi et Orbi (për Qytetin dhe Botën) në fund të shërbesës katolike të Pashkëve, Papa Françesku u kërkoi besimtarëve të ndjekin rrugën e solidaritetit të ndërsjellë, i cili duhet të mbizotërojë edhe në marrëdhëniet midis kombeve, shteteve dhe njerëzve.
“Krishti u ringjall”, tha Papa dhe më pas shtoi në greqisht: “Krishti u ringjall!”
Në të njëjtën kohë, Papa kërkoi që të kapërcehen konfliktet e armatosura dhe përçarjet, ndërsa iu referua mesazheve shpresëdhënëse që vijnë nga vendet që ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për njerëzit që lënë pas luftërat dhe varfërinë.
Papa i bëri thirrje Zotit “të ndihmojë popullin e dashur ukrainas në rrugën e tij drejt paqes dhe të përhapë dritën e Pashkëve në të gjithë popullin rus”.
Ai gjithashtu ka uruar që të plagosurit dhe të gjitha familjet që kanë humbur të dashurit për shkak të luftës të kenë mbështetje dhe të burgosurit e luftës të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi.
Në të njëjtën kohë, Françesku në mesazhin e tij kërkoi që t’i jepet fund konflikteve të armatosura në Siri, t’u jepet mbështetje të prekurve nga tërmeti shkatërrues që ndodhi në Turqi dhe vetë në Siri, si dhe bëri të qartë shqetësimin e tij në lidhje me sulmet e ditët e fundit në Lindjen e Mesme, “të cilat rrezikojnë klimën e nevojshme të besimit, në mënyrë që të rifillojë dialogu midis izraelitëve dhe palestinezëve”.
Së fundi, Papa, i cili përshëndeti kardinalët i ulur në një karrige me rrota dhe më pas shkoi rreth sheshit me automjetin “papa mobile”, uroi që situata politike në Liban të stabilizohej, të rinjtë që kërkojnë një të ardhme më të mirë në Tunizi dhe për të kapërcyer në Haiti krizën sociale, politike dhe humanitare që ka pllakosur vendin prej shumë vitesh.